Rezervat ushqimore, VMRO-DPMNE: Qeveria të tregojë për masat

05.03.2022 13:55

VMRO-DPMNE ka akuzuar qeverinë....

VMRO-DPMNE ka akuzuar qeverinë se në 4 muajt e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të siguruar stabilitetin e rezervave edhe pse sipas deklaratave të tyre kanë qenë të informuar për zhvillimet në Ukrainë.

Marija Miteva nga kjo parti theksoi se për shkak të pasigurisë që kanë qytetarët për produktet ushqimore, qeveria duhet të përgjigjet nëse janë marrë masa konkrete.

“Qeveria duhet të parashikojë që në rrjedhën e ngjarjeve të deritanishme çmimet e derivateve të naftës në mënyrë plotësuese do  të kenë një tendencë të rritjes dhe në këtë mënyrë edhe çmimet me pakicë do të rriten, gjë që do të shkaktojë një tronditje të madhe ekonomike për qytetarët dhe kompanitë. Nëse qeveria e Kovaçevskit nuk ka ide se çfarë të bëjë, le të zbatojë propozimet e VMRO-DPMNE-së” – tha Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.

LSDM: Ka mjaftueshëm rezerva të mallrave

Por nga LSDM thonë se qytetarët duhet të jenë të qetë, sepse ka rezerva të mjaftueshme të karburanteve dhe mallrave. Ata ftojnë qytetarët që të mos u nënshtrohen manipulimeve të VMRO-DPMNE-së sepse institucionet shtetërore vazhdojnë me furnizim të rregullt me rezerva shtetërore.

Prodhimi i grurit është rritur në krahasim me kohën e VMRO-DPMNE-së kur nuk kishte krizë thonë në LSDM.

“Në vitin 2017 prodhimi vendor i grurit ka qenë 195 mijë e 888 tonë, në vitin 2021 është 253 mijë e 674 tonë, që është 50 mijë tonë më shumë se nga koha e VMRO-DPMNE-së” – deklaroi Trajan Dikovski nga LSDM.

Ndërkohë sipas opozitës  për 4 vite sipërfaqet për grurë janë zvogëluar për 10 mijë hektarë, dhe të ardhurat totale janë zvogëluar për 60 mijë ton grurë. Sipas tyre ministria përkatëse duhet që të shpërndajë tokën bujqësore të shtetit për të mbjellë sipërfaqet me grurë. (Naim Ramadani, TVM2)