Lufta në Ukrainë, Rusia e vendos dhe më pas e thyen armëpushimin
Në ditën e 10-të luftës në Ukrainë.....

Në ditën e 10-të luftës në Ukrainë, Ministria ruse e mbrojtjes shpalli armëpushim të përkohshëm në dy qytete të Ukrainës. Me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq dhe me dakordimin e Qeverisë së Ukrainës, u hapën korridoret humanitare që të largohen civilët nga Mariupoli dhe Volnovakha.
“Sot, më 5 mars, nga ora 10 e mëngjesit me kohën e Moskës, pala ruse shpalli një regjim heshtjeje dhe hapi korridoret humanitare për daljen e civilëve nga Mariupol dhe Volnovakha” – tha Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov.
Por, nënkryetari i bashkisë së Mariupolit tha se rusët i gënjyen dhe se rrugët për në Zaporizhia po bombardoheshin pa mëshirë. Kjo është arsyeja që evakuimi është ndërprerë, ndërsa njerëzit janë kthyer sërish nëpër strehimore pasi kanë frikë të qëndrojnë rrugëve.
“Ata na thanë se rruga nga Mariupol për në Zaporizhia është e sigurt. Por ne kemi marrë informacione se në këtë rrugë ka përleshje të ashpra nga Enerhodar. Nuk është e sigurt të shkosh në këtë rrugë për shkak të kësaj lufte. Kemi dy kundërshtime. Së pari, granatimet e vazhdueshme të Mariupolit dhe më pas, lufta nga Enerhodar,prandaj vendosëm t'i kthejmë qytetarët tanë, sepse nuk është e sigurt të jesh në rrugë.” – u shpreh Nënkryetari i Bashkisë së Mariupolit, Sergei Orlov.
Autoritetet në Ukrainë i bëjnë thirrje Rusisë që të ndalojë granatimet dhe të respektojë armpushimin.
“Ne i kërkojmë Rusisë të ndalojë të shtënat, të kthehet në regjimin e armëpushimit dhe të japë mundësinë për të organizuar kolonat e korridorit humanitar në mënyrë që fëmijët, gratë dhe të moshuarit të mund të largohen nga vendbanimet. Ne gjithashtu Kërkojini Rusisë të japë mundësinë për të lejuar kalimin e ndihmave humanitare, ilaçeve dhe ushqimeve, nga Dnipro në Zaporizhia." – tha Ministrja e Ukrainës për Riintegrimin e territoreve të pushtuara përkohësisht, Iryna Vereshchuk.
Banorët në Mariupol, i cili ka qenë nën granatimet e forta nga forcat ruse për disa ditë, janë detyruar të jetojnë pa ushqim, ujë dhe pa energji elektrike.
Ndërsa në Kharkiv civilët strehohen përpara se të rifillojnë bombardimet. Banorët kanë ndërtuar streha të improvizuara në stacionet e metrosë së qytetit, ndërsa të tjerët kanë dalë në rrugë në përpjekje për t'i shpëtuar luftimeve.
“Nuk e përballojë dot, ka kaluar një javë që jam pa gjumë"
“Është e frikshme, por ky është qyteti ynë, ne nuk duam të ikim askund"
“Shpresojmë për më të mirën, por jemi të përgatitur për më të keqen. Të paktën kemi ushqim dhe ajër dhe fëmijët janë në rregull”.
“Është e frikshme sepse nuk e dimë se çfarë na pret e nesërmja. Asgjë nuk po ndryshon këtu, lufta vazhdon” – thanë disa nga qytetarët e Kharkiv.
Pavarësisht se një pjesë kanë zgjedhur të qëndrojnë në mes të flakëve të luftës, Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar tashmë se të paktën 1.3 milionë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i luftës me Rusinë.
Qindra mijëra kanë ikur në Poloni, ndërsa të tjerë kanë hyrë në Hungari, Rumani, Moldavi dhe Sllovaki. Tani, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se ky numër mund të rritet në 1.5 milion deri në fund të kësaj jave. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
