Lëvizja Besa mbajti Kongresin e dytë, Bilal Kasami rizgjidhet në krye të partisë

05.03.2022 18:27

Bilall Kasami do të jetë kryetar i Lëvizjes Besa....

Bilall Kasami do të jetë kryetar i Lëvizjes Besa për një mandat të ri. Kështu vendosën rreth 450 delegatë, pjesëmarrës në Kongresin e dytë të Lëvizjes Besa.

Me ndryshimet e reja në Statutin e partisë, BESA do të ketë edhe zëv/kryetar. Zëvendësi i Kasamit do të jetë Arianit Hoxha, deri tani sekretar i përgithshëm i partisë.

Kasami: Vazhdojmë betejat për shtet të barabartë

Kongresi miratoi edhe platformën politike dhe programin ekonomik si dhe deklaratën politike të Lëvizjes Besa.

“Lëvizja Besa vazhdon edhe më fuqishëm të artikulojë zërin e shqiptarëve, zërin e çdo qytetari të nëpërkëmbur nga pushtetet e kaluara. Ne sot jemi këtu që të vazhdojmë betejat tona për një shtet të barabartë, një shtet ku do të sundojë ligji, një shtet ku integrimi në BE do të jetë një mekanizëm për të krijuar mirëqenie për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë e tyre.” – tha Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami.

Kasami: Angazhohemi për opozitë të bashkuar

Lëvizja Besa është e interesuar për zgjedhje të parakohëshme parlamentare dhe konsideron se opozita duhet të unifikojë qëndrimet dhe koordinojë veprimet që kjo të ndodh sa më shpejtë. Por, nuk përjashtojnë mundësinë që të garojnë të vetëm nëse nuk ndodh unifikimi.

"Ne angazhohemi që të kemi artikulim të përbashkët të zërit opozitar që më shpejtë dhe më lehtë të sjellim ndryshimin e kahmotshëm, të nevojshëm për shqipatrët e Maqedonisë së Veriut por njëherit ne vazhdojmë rrugëtimin tonë që edhe të vetëm, nëse është e nevojshme të dalim në zgjedhje, të cilat presim që të jenë sa më shpejtë që është e mundur.” – u shpreh Kasami.    

Kongresi zgjodhi edhe anëtarët e Kuvendit Qëndror, i cili pritet të zgjedh kryesinë e re të partisë në seancën e tij të parë. (Shpëtim Nuredni, TVM2)