ASH-ja kritikon Ministrinë e Shëndetësisë, nuk e mbajti fjalën, mos luani me fatin e mjekëve

05.03.2022 19:01

Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë.....

Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë, se nuk e mbajti fjalën dhe si rezultat u rikthye greva e mjekëve amë.

Aleanca për Shqiptarët me vëmendje e ka ndjekur problematikën e mjekëve amë dhe në kontinuitet ka konstatuar se shëndetësia primare është e organizuar keq, ndërsa shëndetësia sekondare e atrofuar dhe e gjitha kjo ka ndikim direkt dhe indirekt në punën e shëndetësisë terciare, e cila mbytet në kurimin e numrit të madh të pacientëve me diagnoza banale, gjë që rëndon punën e Fondit shëndetësor dhe buxhetin edhe ashtu të varfër të qytetarit tonë.

“Edhe pse premtoi, Ministria e Shëndetësisë nuk e mbajti fjalën e dhënë për takim pas dy jave që rezultoi me rikthim të grevës të mjekëve amë, që rrezikon shëndetin e pacientëve dhe shëndetin publik në përgjithësi. Anëtarët e Shoqatës të mjekëve amë dhe specialistëve kanë 6 kërkesa ku kërkojnë që vlera e pikës të kapitacionit për pacient të kap vlerën prej 95 denarë, të ndërpritet politika penale ndaj mjekëve amë për gabime administrative, të jetësohet shëndetësia elektronike, ndryshime në regjimin e përshkruarjes të terapisë nga ana e mjekut primar si dhe zhvillimi i një metodologjie të re për pagesën e shërbimeve dhe paga të qëndrueshme. Aleanca për Shqiptarët në tërësi i pranon këto kërkesa, përkrah grevën e tyre të qetë dhe i drejtohet autoriteteve shëndetësore që të mos luajnë me fatin e mjekëve dhe sa më shpejt të formohen grupet punuese dhe të fillojnë bisedimet e premtuara dhe aq të pritura”.