Maqedoni

Plenumi Studentor i dorëzoi kuvendit kërkesat

29.12.2014 14:51

Plenumi i Studentëve dhe ai i Profesorëve dorëzuan letër të hapur me kërkesat e tyre deri te deputetët, me qëllim të mos miratohen ndryshimet e Ligjit për Arsim Sipëror...

Nëse këto kërkesa nuk përfillen, në të ardhmen do të organizohen demonstrata masive për të shprehur pakënaqësinë dhe revoltën ndaj reformës, thonë profesorët.
 
“I tërë sistemi i arsimit sipëror për disa vite është ndryshuar 14 herë. Ne planifikojmë të mbetemi këtu, nuk jemi ad hok dhe nuk do të na largojë as i ftohi apo presionet, jemi të përgatitur për gjithçka, por edhe për padëgjueshmëri qytetare”- deklaroi profesoresha universitare, Biljana Vankovska.
 
“Ne në të ardhmen do të mendojmë të marrim edhe masa më radikale me bojkotim të mësimit apo në ndonjë formë tjetër, që do të ndërmerret me profesorët e plenumit, për të dalë nga kjo gjendje e vështirë”- deklaroi profesori universitar, Avzi Mustafa.
 
“Integriteti i studentëve shkelet dhe natyrisht ne si pedagog do të përpiqemi në çdo formë që t’i mbrojmë ata”- tha profesori universitar, Qani Memedi.
 
Ndërkohë, studentët thonë se deri në fund do të mbrojnë me dinjitet të drejtat e tyre deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara.
 
“Presim që përfundimisht të dëgjohet zëri i studentëve dhe profesorëve, sepse mijëra studentë protestuan, profesorë të huaj dhe të vendit u prononcuan kundër reformës dhe ne merituam që të dëgjohet zëri ynë”- u shpreh studentja, Elena Gerovska.
 
“Po e përsërisim qëndrimin tonë, se është i papranueshëm ky ligj dhe se apelojmë te deputetët, posaçërisht tek ata shqiptarë, që të shqyrtojnë këto kërkesa dhe pastaj të vendosin për fatin tonë”- theksoi Daim Luçi nga USSH-ja.
 
Studentët paralajmëruan se do të kërkojnë edhe nga kryetari, Gjorge Ivanov, që mos të nënshkruaj këtë ligj dhe kërkojnë të organizohet debat, ku do të përfshihen të gjitha palët.
 
FLUTURA LATIFI