NATO nuk miraton ndalimin e fluturimeve mbi Ukrainë

05.03.2022 20:19

Ukraina i kërkoi NATO-s për të miratuar zonën e ndalimit të fluturimeve....

Ukraina i kërkoi NATO-s për të miratuar zonën e ndalimit të fluturimeve mbi qiellin e saj për të hequr mundësinë e sulmeve në mënyrë ajrore nga ana e Rusisë. Presidenti Volodimir Zelenski, ashpër deklaroi se përgjegjësia për jetët e humbura nga ky moment është e NATO-s.

“Të gjithë njerëzit që vdesin nga kjo ditë e tutje do të vdesin edhe për shkakun tuaj, për shkak të dobësisë suaj, për shkak të mungesës suaj të unitetit. Sot aleanca i ka dhënë dritën jeshile bombardimeve të qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës duke refuzuar të krijojë një zonë ndalim-fluturimi. Ju mund të kishit mbyllur hapësirën ajrore. Nuk e di se kë jeni në gjendje të mbroni ose nëse jeni në të vërtetë të aftë për mbrojtjen e anëtarëve të NATO-s” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.  

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov u shpreh i gatshëm  për një raund të tretë të bisedimeve me Ukrainën,por sipas tij Zelenki flet me tone të ashpra dhe nuk është optimist për negociata. Ai gjithashtu thotë se Zelenski kërkon ta provokojë këtë konflikt duke kërkuar pjesëmarrjen e aleancës veri atlatntike.

“Zelenskyt i vjen keq që Nato nuk ndërhyn dhe kjo do të thotë se nuk po kërkon ta zgjidhë konfliktin me diplomaci. Ai po përpiqet të provokojë konfliktin kundër Rusisë me pjesemarrjen e Nato-s. Siç duket, Ukraina po shpik gjithmonë arsye për kushtet sipas të cilave ajo kërkon të zhvillojë negociatat” – u shpreh Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin paralajmëroi se çdo përpjekje për të krijuar një zonë të ndaluar për fluturime mbi Ukrainë do t’i bashkohej konfliktit.

“Tani dëgjojmë se është e nevojshme të caktohet një zonë ndalim-fluturimi mbi territorin e Ukrainës. Është e pamundur të bëhet kjo në vetë territorin e Ukrainës, është e mundur vetëm në territorin e disa shteteve fqinje. Çdo lëvizje në këtë drejtim do të shihet nga ne si një pjesëmarrje në konfliktin e armatosur të cilës do palë, territori i së cilës do të përbëjë kërcënim për pjesëtarët tanë të shërbimit. Në atë sekondë, ne do t’i shohim ata si pjesëmarrës të konfliktit ushtarak dhe nuk do të ketë rëndësi se cilët anëtarë janë ata” – deklaroi Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Por sekretari amerikan i shtetit Antopni Blinken thotë se NATO nuk do të miratojë një vendim për ndalim fluturimi mbi qiellin e Ukrainës sepse kjo gjë shumë lehtë mund të përshkallëzojë konfliktin.

“E vetmja mënyrë për të zbatuar diçka si një zonë ndalim fluturimi është dërgimi i aeroplanëve në hapësirën ajrore të Ukrainës dhe rrëzimi i avionëve rusë, dhe kjo mund të çojë në një luftë të gjërë në Evropë. Presidenti Biden e ka pasur të qartë se ne nuk do të futemi në një luftë me Rusinë, por ne do të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme me aleatët dhe partnerët për t’u siguruar ukrainasve mjete për të mbrojtur veten në mënyrë efektive” – theksoi sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken.

BE-ja nga ana tjetër thotë  nuk mund ta ndihmojë Ukrainën me miratimin e zonës së ndalim fluturimit , as me trupa ushtarake,por BE-ja mund ta ndihmojë vetëm me sanksione mbi Rusinë, por të njejtat nuk mund të kenë rezultate të shpejta në ndërprerjen e sulmeve ruse, kjo do të shkojë shumë ngadlë. BE-ja nuk do t’i kërkojë Zelensit të dorëzohet.

“Padyshim, nëse dikush pret që sanksionet financiare t’i japin fund luftës nesër, ai nuk e di se për çfarë po flet. Fatkeqësisht, ne nuk kemi kapacitet për ta ndalur luftën nesër. Ne kemi kapacitetin për të ndikuar, dobësuar ekonominë ruse dhe shumë të tjera, por padyshim, kjo do të marrë kohë” – nënvizoi Shefi i Diplomacisë së BE-së, Xhozef Borrell.  

Zona e ndalim-fluturimit është një zonë e hapësirës ajrore mbi një vend ku nuk lejohet të fluturojë asnjë aeroplan ose ndonjë objekt tjetër ajror, përveç atyre që kontrollojnë hapësirën ajrore. Ajo zakonisht ndërmerret për t’i mbrojtur civilët në terren gjatë një lufte, si dhe për të lejuar dërgimin e sigurt të ndihmave humanitare. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)