Maqedoni

Trashësitë e mëdha të borës shkaktojnë probleme të mëdha

29.12.2014 15:07

Nga trashësitë e mëdha të borës, në trafikun rrugor të Kërçovës është shkaktuar një kaos i vërtetë...

Shumë automjete kanë mbetur të bllokuara në rrugët e fshatrave të Kërçovës. Ekipet për pastrimin e borës po punojnë intensivisht për pastrimin e borës dhe hapjen e rrugëve të qytetit dhe atyre të vendbanimeve rurale. 
 
Reshjet e borës kanë shkaktuar probleme të mëdha në rajonin e Kërçovës. Janë hasur vështirësi të jashtëzakonshme sidomos në rrugët lokale dhe regjionale, të cilat gjatë pasditës së djeshme kanë qenë thuajse të bllokuara. Pengesë kalimi gjithashtu kanë paraqitur edhe makinat e bllokuara në trashësitë e borës përskaj rrugëve që të shpijnë në vendbanimet rurale.
 
Disa rrugë lokale në Zajaz dhe Osllome për orë të tëra kanë qenë të bllokuara.
 
Nga trashësitë e borës prej rreth 60 cm. janë shkaktuar disa aksidente, kryesisht në rrugët lokale, ndërkohë që probleme të mëdha në qarkullimin rrugor ka pasur edhe në rrugët e qytetit.
 
Ndërsa rruga magjistrale ka qenë e kalueshme vetëm për makinat e lehta, ndërkohë që automjetet e tonazhit të rëndë kanë mbetur të bllokuara në hyrje-daljet e Kërçovës, sepse qarkullimi i tyre në drejtim të Gostivarit dhe Strugës është akoma i pamundur. 
 
Gjatë ditës së sotme, ekipet e specializuara për pastrimin e borës kanë dalë në teren dhe punojnë intensivisht në pastrimin e borës. Rruga magjistrale në drejtim të Gostivarit dhe Strugës tani është e kalueshme për makinat e vogla, por vështirësitë e qarkullimit janë të mëdha.
 
Përpjekje për pastrimin e rrugëve bëhen edhe në qytet ku pengesa paraqesin makinat e parkuara përskaj rrugëve të ngushta të Kërçovës. 
 
Për shkak të reshjeve të borës, Shkolla e Mesme “Drita” i njoftoi nxënësit se mësimi do të vazhdojë në gjysmëvjetorin e dytë, ndërsa shkollat fillore të Komunës së Kërçovës sot kanë qenë të hapura, por në orët mësimore kanë munguar një numër jo i vogël i nxënësve.
 
SHABAN DALIPI