Maqedoni

Vendi po përballet me pasojat e reshjeve të borës

29.12.2014 16:07

Shtresë të madhe të akullit nëpër rrugët e vendit, trotuare plotë me dëborë dhe ujë dhe rrugë akoma të papastruara, kjo është pamja që mund të shihni sot në kryeqytet...

24 orë pas reshjeve të dendura të dëborës, vendi akoma  përballet me probleme të mëdha me lëvizjen e komunikacionit rrugor dhe atij ajror. Akset rrugore brenda qyteteve dhe në zonat rurale akoma janë të izoluara  për shkak të  shtresës së madhe të dëborës.                                          
      
Ndalesë për lëvizjen e automjeteve të rënda transportuese ka pasur në kalimet malore Strazhë dhe Presekë, si dhe në Mavrovë–Dibër dhe Dibër-Strugë.
 
Për shkak të erës së fuqishme, po ashtu nuk rekomandohet lëvizja e automjeteve të rënda transportuese në Vratnicë-Jazhincë, ndërsa për të gjithë automjetet e lehta dhe të rënda është i domosdoshëm përdorimi i pajisjeve dimërore. Për shkak të krizës me motin dhe tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend, mbrëmë  vonë  u formua edhe Shtabi i Krizës.
 
Sipas informatave, rruga Shkup–Veles është e kalueshme. Disa automjete janë tërhequr nga aksi rrugor Kërçovë-Ohër, por megjithatë këtu vazhdon të ketë lëvizje të vështirë të komunikacionit dhe të ketë ndalesë për një pjesë të kësaj rruge.
 
“Në bashkëpunim me “Kryqin e Kuq”, kemi përgatitur rreth 500 pako për  ndihmë të qytetarëve në raste nevoje. Gjithashtu, Agjencia për Rezervat Shtetërore në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë janë duke i bërë gati pakot me barëra të ndryshme, të cilat do të jenë dedikuar për qytetarët në nevojë, të cilët mund të jenë të ngujuar nga dëbora. Ne jemi duke u përgatitur vazhdimisht, sidomos për këtë fundjavë që vjen, për t’u përballur eventualisht me stuhi më të madhe të të ftohtit”- deklaroi ministri i Transportit dhe  Lidhjeve, Mile Janakievski.
 
Ministri i Transportit, Janakievski, u bëri thirrje përfaqësuesve të komunave që të kyçen në pastrimin e rrugëve rurale. Në rast se ata nuk kanë mjete financiare për këtë, ai u rekomandoi që të kërkojnë ndihmë urgjente nga Qendra për Menaxhimin e Krizave. 
 
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, premtoi se shërbimet dhe makineritë e kryeqytetit janë të gatshme për t’i dalë zot shtresës së madhe të dëborës. Deri më tani janë hedhur 145 ton kripë.
 
“Kemi sasi të mjaftueshme të kripës dhe posedojmë makineri të mjaftueshme, ndërsa shërbimet janë mjaft të organizuar për t’u përballur eventualisht me ndonjë stuhi më të madhe. Kështu, u premtoj të gjithë qytetarëve se nuk do të kenë probleme me pastrimin e bulevardeve dhe trotuareve, të cilat janë në nivel të Qytetit të Shkupit”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Stuhia e madhe krijoi defekte të mëdha edhe me furnizimin me energjinë  elektrike në Dibër, Ohër, Strugë, Mavrovë, Resnje dhe Shkup, mirëpo pas sanimit të disa transformatorëve të rrymës, në këto zona u rikthye sërish energjia elektrike.               
 
Edhe komunikacioni ajror pësoi dëme nga stuhia e djeshme e dëborës. Gjatë ditës së djeshme, disa fluturime të parapara nga aeroporti “Aleksandri i Madh” në Shkup për në Dubai, Cyrih, Stamboll dhe Londër janë anuluar, ndërsa një pjesë e aterrimeve për në Shkup janë orientuar drejt aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë.
 
Sipas sinoptikanëve, deri në ditën e premte nuk priten reshje të dendura të borës. Gjatë këtyre ditëve parashikohen temperatura të ulëta deri më minus 15 gradë celsius. 
 
Për të gjitha problemet e detektuara, qytetarët mund të lajmërohen në numrin e telefonin 195, ose për problemet rrugore mund të paraqiten në Lidhjen e Automoto të Maqedonisë, në numrin 196.
 
REXHEP QAMILI