Maqedoni

FSSH siguron 1000 karroca elektrike

29.12.2014 16:26

Rreth njëmijë persona me hendikep, në pesë vitet e ardhshme pritet të fitojnë pajisje më të sofistikuara ortopedike...

Bëhet fjalë për karroca elektrike-skuter, gji artificial, si dhe bateri për implante, të cilat do t’i mbulojë Fondi Shëndetësor.
 
Të interesuarit duhet që të sigurojnë raport nga klinika gjegjëse për diagnozën e tyre, si dhe kontrollime shtesë, me qëllim që të vërtetohet se janë të aftë ta drejtojnë karrocën elektrike.
 
“Nga një janari i vitit 2015, do të implementojmë tre risi për sa i përket pajisjeve ortopedike. E para ka të bëjë me implementimin e të drejtës për sigurim të karrocave elektrike-skuter. Shpenzimet do t’i mbulojë fondi për persona në moshë prej 7 deri më 26 vjeç  dhe për persona më të vjetër se 65 vjeç me hendikep të përhershëm”- deklaroi drejtoresha e FSSH-së, Maja Parnaxhieve-Zmejkova.
 
Nga Shoqata e Personave me Hendikep “Mobilitet Maqedoni”, besojnë se FSSH-ja edhe në të ardhmen do të kujdeset për rritjen e fondit, me qëllim që të sigurohen mjete edhe më të sofistikuara ortopedike.
 
“Përskaj kësaj risie, të cilën gjatë vitit të ardhshëm do të mund ta shfrytëzojnë anëtarët tanë, do të rritet fondi i FSSH-së për të siguruar edhe mjete më të sofistikuara për personat në nevojë”- tha kryetari i LPMI-së, Branimir Jovanovski.
 
Vetëm në vitin 2015 pritet të shpërndahen rreth 200 karroca elektrike-skuter.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI