KRRE: Çmim më të lartë prej 1.93%
Trendi i rritjes së çmimit të naftës vazhdon....

Trendi i rritjes së çmimit të naftës vazhdon. Për shkak të çmimit të naftës të papërpunuar në bursat botërore ku ka arritur kufirin prej 128 dollarë për fuçi, sot KRRE ka vendosur të ketë një çmim më të lartë prej 1.93%, krahasuar me çmimet që ishin të vlefshme javën e kaluar, ndërsa autoritetet vendore bëjnë të ditur se derivatet e naftës në vend do të vazhdojnë të jenë konkurruese dhe me çmim më të ulët në rajon.
Derivatet, çmimi i naftës në nivelin më të lartë që nga viti 2008
Që nga fillimi i vitit 2022, çmimet e naftës janë rritur me mbi 60%, gjë që ka ndikuar në rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit.
Çmimi i gazit ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, ndërsa nafta është në nivelin më të lartë në 10 vitet e fundit. SHBA dhe BE po shqyrtojnë mënyrën se si të rikuperojnë furnizimet e tyre me naftë nga Rusia, pasi furnizuesit kryesorë të naftës si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku nuk do të jenë në gjendje të plotësojnë kapacitetin e kërkuar.
“Ne kemi diskutime aktive me partnerët tanë evropianë për të ndaluar importin e naftës ruse në vendet tona, dhe natyrisht në të njëjtën kohë për të ruajtur një furnizim të qëndrueshëm global të naftës” – tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Bashkimi Evropian duhet të heqë qafe varësinë e tij nga nafta, gazi dhe qymyri rus. Ne duhet të bëhemi më të mirë në efiçencën e energjisë dhe duhet të investojmë shumë në burimet e rinovueshme, sepse ky është një investim strategjik në sigurinë tonë të furnizimit, por edhe në shëndetin e planetit tonë." – tha Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Ekspertët ndërkohë thonë se nëse kufizimet ndaj Rusisë nuk lehtësohen, çmimet e naftës do të arrijnë nivele rekord. Rusia është eksportuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës. Vendi eksporton rreth 7 milionë fuçi naftë në ditë ose 7% të konsumit global. (Sedat Selimi, TVM2)
