Botë
Vuçiq: Nëse Kosova anëtarësohet në NATO, Serbia do të befasojë me përgjigje
07.03.2022 16:34
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se nëse ndodh përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se nëse ndodh përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, Serbia do të befasojë me përgjigjen dhe efikasitetin.
“Ditën që do të pranohen në ndonjë organizatë ndërkombëtare, do të thotë se e kanë përmbysur marrëveshjen e Washingtonit dhe atë ditë do të mësojnë emrat e disa vendeve që e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.”, tha Vuçiq.
Vuçiq tha se për shkak të krizës në Ukrainë, shumë e shohin si një mundësi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe se shumë duan pranimin e përshpejtuar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Këto komente kreu i shtetit serb i bëri gjatë një ngjarje në Leskovc kur u pyet se çfarë ndodhi me notën e protestës ndaj Turqisë. Ai tha se Serbia ka hequr dorë nga dërgimi i një note proteste ndaj Turqisë për qëndrimin e kësaj të fundit rreth anëtarësimit të Kosovës në NATO. Presidenti i Turqisë Erdoan, pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kishte deklaruar se Kosovën e konsideron si pjesë të NATO-s dhe se për këtë nuk ka nevojë për të marrë leje nga askush.
