Maqedoni

Bora e parë lë disa fshatra pa energji elektrike

29.12.2014 17:02

Bora e parë në rajonin e Kumanovës dhe Likovës, trashësia e së cilës në zonat e ulëta ka arritur diku rreth 10 centimetra...

Bora e parë në rajonin e Kumanovës dhe Likovës, trashësia e së cilës në zonat e ulëta ka arritur diku rreth 10 centimetra, kurse në ato malore rreth 20 centimetra, ka shkaktuar vështirësi të mëdha. 
 
Nga Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza njoftojnë se disa fshatra, si: Nikushtaku, Vishtica e Mateçi të Komunës së Likovës  prej dje janë pa energji elektrike, për shkak të defekteve të shkaktuara nga moti i keq. 
 
Por, bora probleme ka shkaktuar edhe në trafik. Falë intervenimit të menjëhershëm të autoriteteve lokale, si në Kumanovë po ashtu edhe në Likovë, pjesa më e madhe e rrugëve lokale dhe rajonale janë pastruara dhe të njëjtat janë të depërtueshme, kuptohet me rekomandim për ngasësit e makinave që të jenë të kujdesshëm.
 
Vlen të theksohet se gjatë intervenimit për pastrimin e rrugëve, vetëm në Kumanovë janë hedhur mbi 20 ton kripë.
 
Ndërkaq, si pasojë e borës, dhjetëra fshatra në rajonin e Kumanovës dhe Likovës janë të bllokuara. Bëhet fjalë kryesisht për fshatrat malore, si: Goshincë, Llukar, Presnicë, Runicë, Strimë e të tjera. 
 
Ndërkohë që ndërprerje mësimi nuk ka pasur në asnjë shkollë, qoftë fillore apo të mesme. Mirëpo vlen të theksohet se ka mungesë të nxënësve, kryesisht për shkak të prekjes nga viruset e gripit. 
 
NEXHAT AQIFI