Kriza në Ukrainë, Rusia: Ukraina të heq dorë nga blloqet ushtarake

07.03.2022 18:41

Vijon raundi i ri i bisedimeve ruso ukrainase....

Vijon raundi i ri i bisedimeve ruso ukrainase në Brest të Bjellorusisë. Delegacioni rus ripërsëriti kërkesat ruse, të cilat janë tre dimensionale.

“Do të bisedojmë për çështjet e njëjta, tre grupe të çështjeve:  çështja për rezolutën e politikave të brendshme, aspektet humanitare ndërkombëtare dhe çështja ushtarake.” – tha negociuesi rus, Vlladimir Medinski.

Dimitrij Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Putin, gjatë ditës është shprehur lufta mund të ndërpritet menjëherë nëse Kievi pranon kërkesat ruse për ndryshim të kushtetutës.

“Do të duhet të miratojnë amendamente në kushtetutë, sipas të cilave Ukraina në të ardhmen do të heq dorë nga përpjekjet për tu kyçur në cilin do bllok ushtarak.” – u shpreh Zëdhënës i presidentit rus Dimitrij Peskov.

Podolak: Të ndalet lufta ndaj civilëve

Ndërkohë pala ukrainase në bisedime ftoi Rusinë që të ndërpresë sulmet ndaj civilëve.

“Do të nisim bisedimet  me një shtet të cilët në shekullin 21 besojnë se me dhunë mund të arrihen rezultate. Ne do ti bindim se nuk është ashtu. Do të jetë mirë ashtu siç Ukraina ka nevojë si dhe populli ynë.” – u shpreh negociuesi ukrainas, Mihajllo Podolak.

Zelenski: Të bojkotohet nafta ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski ka kërkuar sanksione të reja ndaj Rusisë, pasi që Putin nuk ka hequr dorë nga planet e tij kundër Ukrainës.

“Rusia nuk ka braktisur planet e saj kundër Ukrainës. Ne kemi nevojë për një paketë të re sanksionesh, bojkot të eksporteve ruse, në veçanti refuzimin e naftës nga Rusia” – u shpreh Presidenti i Ukrainws, Volodimir Zelenski.

BE planifikon sanksione të reja ndaj Rusisë

Presidentja e komisionit europian Ursula Von Der Lejen ka pohuar se po shqyrtohen sanksione shtesë ndaj Rusisë. Për sanksionet në fjalë është shprehur edhe sekretari i shtetit amerikan.

“Me evoluimin e situatës në Ukrainë, ne kuptohet se punojmë në sanksione shtesë. Ne duhet të heqim qafe varshmërinë nga gazi rus dhe nafta. Do të diskutojmë se si tregu i energjisë të mbetet efikas pavarësisht çmimit të lartë në gazit që është imponuar nga lufta e Putinit.” – tha Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Lejen.

Anëtarësimi i Ukrainës në BE diskutohet të enjten

Liderët e BE-së pritet të diskutojnë luftën në Ukrainë dhe anëtarësimin e Ukrainës në BE në samitin joformal në Paris të enjten.

Turqia ndërmjetësues i takimit Lavrov – Kuleba

Po të njëjtën ditë Turqia njofton se do të ndërmjetësojë midis dyja palëve. Është dakorduar për takim të ministrave të jashtëm të tre vendeve në Antali.

“Jemi angazhuar  që të afrojmë Rusië dhe Ukrainën. Lavror dhe Kuleba kanë konfirmuar pjesëmarjen. Shpresojmë që ky takim të sjellë kthesën.” – u shpreh Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusholu.

Në raundin e dytë të bisedimeve dyja palët arritën që të formohen koridore humanitare për civilë në zonat e luftës. Ndërkaq pala ruse kërkon çmilitarizim të Ukrainës, heqje dorë nga anëtarësimi në ndonjë bllok ushtarak. njohjen e Krimesë si territor rus si dhe njohjen e Donjeckut dhe Luhanskit si shtete të pavarura. (Meral Ismaili, TVM2)