Botë
Shpëtohen pasagjerët e tragetit
29.12.2014 17:07
Pas dy ditësh lufte me vdekjen, ka përfunduar operacioni i shpëtimit të pasagjerëve të tragetit “Norman Atlantik”...

Pas dy ditësh lufte me vdekjen, ka përfunduar operacioni i shpëtimit të pasagjerëve të tragetit “Norman Atlantik”, i cili mori flakë natën e 27 dhjetorit pranë Korfuzit. shtatë është numri i viktimave dhe 473 janë pasagjerët e shpëtuar nga kjo tragjedi.
Pas mobilizimit të anijeve greke, italiane dhe shqiptare, të cilat që në momentin e dhënies së alarmit SOS kanë ndërhyrë në mënyrë aktive për të shpëtuar pasagjerët që ndodheshin mes flakëve në det të hapur.
Sipas autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare, mes 478 pasagjerëve ndodheshin 22 shqiptarë, disa shtetas nga Maqedonia, ndërsa numri më i madh i pasagjerëve ishin grekë dhe italianë.
Pasagjerët qëndruan në katet e sipërme të tragetit, për shkak se flakët e zjarrit shpërthyen në zonën e hambarit të anijes.
Zjarri deri më tani dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e një problemi në një nga 128 kamionët që mbanin vaj ulliri, ndërsa në zonën e parkingut ndodheshin edhe 94 automjete të tjera.
Pasi gjithçka ka mbaruar, disa prej pasagjerëve kanë rrëfyer momentet e tmerrit që kanë përjetuar për 36 orë në det të hapur.
Operacioni i shpëtimit, që përfshiu shtatë anije italiane, mes tyre edhe “Butrintin” nga Shqipëria, gjashtë helikopterë italianë, por edhe një avion “C-130” nuk ka qenë aspak i lehtë, për shkak të kushteve atmosferike.
LULJETA NDOKA
