Ukrainë, vazhduan bombardimet e ushtrisë ruse
Forca ruse edhe gjatë natës së kalaur....

Forca ruse edhe gjatë natës së kalaur kanë bombarduar qytetet Ukrainase, prej ku njoftohet pedhe për viktima civile.
Autoritetet lokale në qytetin e Sumyt raportojnë se të paktën 9 persona kanë humbur jetën mes të cilëve dhe 2 fëmijë.
Sipas kreut të administratës ushtarake, Dmytro Zhyvytsky bombardimet e natës së fundit kanë qenë tepër intensive dhe avionët rusë kanë goditur dhe godina civilësh. Luftime të ashpra janë raportuar dhe në Odesa, ku trupat ruse kanë lëshuar raketa drejt qytetit nga luftanijet që ndodhen pranë bregut.
Rusia tha se ka hapur korridoret humanitare për të mundësuar evakuimin e civilëve nga disa qytete të Ukrainës. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se korridoret u hapën nga ora 10 e mëngjesit - sipas kohës në Moskë - nga Kievi, Çernihivi, Sumi, Harkivi dhe Mariupoli, nga ku pritet të largohen rreth 200 mijë njerëz. Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, konfirmoi marrëveshjen me Rusinë për hapjen e një korridori humanitar, që, siç tha, do të mundësojë largimin e civilëve nga qyteti i rrethuar Sumi.
Rrugët dhe destinacionet përfundimtare të korridoreve nuk janë ende të qarta. Presidenti i Russië, Vladimir Putin, publikoi një video për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ku u premtoi grave ruse se rezervistët nuk po thirren për të luftuar në vijën e frontit në Ukrainë.
“Më lejoni të theksoj se ushtarët që kryejnë shërbimin ushtarak, nuk marrin dhe nuk do të marrin pjesë në armiqësi”, tha Putin.
Ndërsa mbrëmë përfundoi pa marrëveshje edhe raundi i tretë i negociatave mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë që u zhvillua në Bjellorusi.
Ndërkohë, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, dhe ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, do të takohen të enjten në Antalia të Turqisë, sipas ministrisë së jashtme ruse, por ende nuk është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Ukrainës.
