Dita e 13 e luftës në Ukrainë

08.03.2022 12:52

Agjencia e Gardës Kufitare polake....

Agjencia e Gardës Kufitare polake, ka njoftuar se 1.2 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në Poloni që nga fillimi i luftës. Mijëra polakë po presin refugjatë edhe në shtëpitë e tyre, dhe sot parlamenti i Polonisë do të debatojë legjislacionin e urgjencës për të kompensuar ata që bëjnë shpenzimet e tyre shtesë.

Kreu i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley, paralajmëroi se konflikti në Ukrainë mund t’i rrisë çmimet globale të ushqimit dhe të ketë ndikim katastrofik për më të varfrit në botë. Ukraina dhe Rusia janë dy eksportuese kryesore të produkteve ushqimore bazë dhe lufta tashmë ka goditur prodhimin. Beasley tha se situata rrezikon të shkaktojë uri në mesin e më shumë njerëzve. Rusia dhe Ukraina eksportojnë rreth një të katërtën e grurit në botë dhe gjysmën e produkteve të lulediellit, si farat dhe vaji.

Komisioni Evropian ndërkohë ka përgatitur një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë dhe Bjellorusisë që do të godasë oligarkë dhe politikanë të tjerë rusë, si dhe tre banka bjelloruse. Reuters ka mësuar se sanksionet, do të ndalojnë tre banka bjelloruse nga sistemi bankar Sëift dhe do të shtojnë më shumë oligarkë dhe politikanë rusë në listën e zezë të BE-së. Po ashtu, Reuters shkruan se do të ndalohen eksportet nga BE-ja të teknologjisë detare në Rusi dhe do të përfshijë udhëzime për monitorimin e kriptomonedhave për të parandaluar përdorimin e tyre dhe për të shmangur sanksionet.

Moska nga ana tjetër  ka kërcënuar se do të mbyllë furnizimin me gaz në Gjermani pasi SHBA i kërkoi aleatëve të saj evropianë të konsiderojnë ndalimin e importeve ruse të naftës për shkak të pushtimit të Ukrainës. Zëvendës-kryeministri rus Alexander Novak tha se refuzimi i naftës ruse do të çonte në pasoja katastrofike për tregun global, pasi pritet që  çmimi i naftës mund të rritet në më shumë se 300 dollarë për fuçi. Kërcënimi i Novak i referohet vendimit të Gjermanisë muajin e kaluar për të ndalur certifikimin e Nord Stream 2, një gazsjellës dytësor.