Djegia e spitalit modular në Tetovë, mbyllet hetimi, ende s’ka përgjigje për shkaqet
08.03.2022 14:48
Përfundoi procedura parahetimore për shpërthimin e zjarrit në spitalin modular në Tetovë....

Përfundoi procedura parahetimore për shpërthimin e zjarrit në spitalin modular në Tetovë. Ekipi i pesë prokurorëve të Tetovës bëjnë me dije se materiali parahetimore “peshon” mijëra faqe dëshmi, por kur do të merret vendimi përfundimtar dhe do të ngrihet aktakuzë, autoritetet ende janë pa përgjigje konkrete.
Prokurori, Besir Aliu, për TVM2 thotë se gjatë periudhës së ardhshme prokurorët do të duhet të referojnë para komisionit të veçantë në krye të së cilit është kryeprokurori, Ljubomir Joveski. Në rast se atyre u jepet “dritë e gjelbër” ata do të ngrenë aktakuzë për të zbardhur rastin tragjik dhe për t’i gjetur fajtorët për shpërthimin e zjarrit.
“I rrumbullakojmë veprimet parahetimore. Vlerësojë se për këtë rast ndërmorëm të gjitha hapat e nevojshme për këtë rast. Morëm vendim të duhur dhe presim së shpejti të referojmë të gjitha njohurit që i kemi siguruar.”,- theksoi prokurori në Prokurorinë Publike, Besir Aliu.
Gjatë shpërthimit të zjarrit në spitalin modular më 8 shtator 2021, jetën e humbën 14 persona, ndërsa 12 të tjerë u lënduan. Deri tani për këtë rast u përpiluan edhe 3 ekspertiza të veçanta, ekspertiza e MPB-së, e Gjermanisë dhe ajo e fakultetit elektronik që ka të bëjë me çështjen e elektrikës së spitalit modular.
REXHEP QAMILI
