Maqedoni

Dhuna në familje, viktimat me rrëfime dhe probleme të njejta

08.03.2022 15:45

Gjithçka filloi si abuzim verbal, por sjellja e tij ndryshoi me shpejtësi....

"Gjithçka filloi si abuzim verbal, por sjellja e tij ndryshoi me shpejtësi. Prej dy vitesh ai më rrihte, më torturonte, ma përplaske kokën  për muri, e kisha trupin të nxirë nga goditjet e tij. Për hir të fëmijëve e falja dhe duroja gjithçka, por ai nuk ndryshoi. U bë dhe më keq. Nga goditjet e tij unë desh e humba jetën. Është mrekulli e Zotit që unë jam gjallë. Ika nga shtëpia dhe e denoncova rastin në polici me idenë që këtu do jetë fundi. Por, jo!”.  
 
Kjo është një histori, e ngjashme me shumë të tjera të grave - viktima të dhunës familjare. Askush prej tyre nuk do të rrëfejë historinë e saj para kamerës. Ato ende kanë frikë, edhe pse janë larguar nga bashkëshortët dhunues. Edhe në këtë rrëfim gojor, ndjehen akoma pasojat psikologjike që i ka lënë dhuna. Për të, dhuna fizike ka mbaruar, por ka nisur lufta me varfërinë. E vetmja ndihmë që merr nga shteti është kopshti falas për dy fëmijët, rroga i mjafton vetëm për faturat dhe qiranë. 
 
Ekspertët: Mos-pagesa e detyrimeve, problem serioz
 
Arta Selmani - ekpserte për çështje juridiko-familjare, nënat vetushquese i quan „luftëtare të heshtura“. Ato luftojnë për sigurimin e kushteve elementare sidomos në rastet kur nuk marrin alimentacion për fëmijët.
 
"Pika më e dobët e baballarëve është mospagesa e alimentacionit. Mekanizma ka mirëpo të njejtat nuk zbatohen. Mospagesa e alimentacionit paraqet edhe vepër penale, kështu që prindi ose Qendra për Punë Sociale mund të parashtrojë kallxim penal. Gjithashtu mospagesa e alimentacioni mund të sjellë edhe pasojën e mos-realizimit të takimit me prindin që  nuk e fiton kujdestarinë... por këto gjëra refuzohen nga nënat tona, sepse nuk duan tensionim të situatës.“,- tha ekpertja për çështje juridiko-familjare, Arta Selmani.
 
„Njëra mundet“: Nënat vetushqyese janë target i varfërisë
 
Enti për Statistika nuk kanë numër të saktë të familjeve me një prind. Presin rezultatet nga regjistrimi i ri. Ministria për Punë dhe Politikë Sociale nuk na u përgjigj ndaras në pyetjen se sa prindër vetëushqyes marrin ndihmë sociale dhe sa prej tyre edhe shtesë për fëmijë. Na u përgjigjën vetëm se ndihmën e garantuar minimale e marrin 1.272 përdorues.
 
Një shifër e ka  Organizata “Njëra mundet” që numëron rreth 5.000 anëtare. Doroti Paçkova nga kjo organizatë thotë se dhuna në familje është faktori kryesor për rritjen e numrit të familjeve me një prind, 80% e tyre janë nëna. Nënat vetushqyese janë target i varfërisë. Kulmi mbi kokë është preokupimi kryesor i shumicës absolute të tyre, pohon ajo. Një e dhënë për vitin 2019 nga “Eurostat” tregon se 81% e familjeve me një prind e që kanë fëmijë të mitur, janë në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social. Gjërat nuk kanë ndryshuar.
 
"Familjet me një prind dhe nënat vetëushqyese janë në rrezikun më të madh dhe më të lartë të varfërisë. Çështja ekzistenciale është problematike. Kemi problem me nevojat elementare. Bëhet fjalë për të mos pasur një vakt të ngrohtë, nëse paraqitet një sëmundje në familje është problem i madh sepse statusi ekomik është shumë i dobët.",- deklaroi Doroti Paçkova nga Shoqata “Njëra mundet”.
 
Dhuna në familje – 2021, MPB:1.155 viktima të dhunës, shumica femra
 
Për dhunën në familje në vitin 2021 janë regjistruar 1.056 vepra penale me 1.097 autorë, 988 prej tyre janë meshkuj dhe 109 femra. Viktima të dhunës në familje janë 1.155 persona, 266 meshkuj dhe 889 femra.
 
"Gjatë vitit të kaluar u raportuan 1.056 krime në lidhje me dhunën në familje. Shumica e viktimave janë gra, por duhet thënë se disa nga këto viktima janë edhe meshkuj. Bëj apel që këto raste të denoncohen, sepse vetëm kështu do ta dimë se një ngjarje e tillë ka ndodhur, do mund të  marrim masat e duhura dhe autorët të marrin dënimin e merituar.“,- u shpreh zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.
 
Nënat vetëushqyese kanë të drejtë alimentacioni edhe për veten e tyre nga ish bashkëshorti nëse janë pa punë, por në raste kur prindi nuk paguan për fëmijët, pothuajse asnjë grua e ndarë e papunë nuk e kërkon këtë pagesë. Në shumicën e rasteve institucionet nuk intervenojnë edhe për faktin se për shkak të frikës, vetë nënat hezitojnë të denoncojnë ish bashkëshortin që nuk përmbush obligimet ligjore. Kjo temë u punua në bashkëpunim me Institutin për studime të komunikimit. 
 
SANIJE DURAKU