Maqedoni

Konflikti ruso – ukrainas, Fërçkovski: Asgjë tragjike që Rusia na shpalli armike

08.03.2022 15:55

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë paraqet agresion të drejtpërdrejtë...

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë paraqet agresion të drejtpërdrejtë dhe nëse zgjatë do të krijojë ndasi të thellë midis Rusisë dhe Europës, vlerëson profesori universitar, Ljubomir Fërçkovski. Për të nuk është shqetësuese që vendi është në listën e shteteve armiqësore të Rusisë, pasi që, sipas tij, Maqedonia e Veriut mban anën e duhur.
 
“Ne jemi në anën e duhur, në shoqëri të mirë, kjo është shenjë e mirë, nuk ka asgjë të keqe. Mund të ketë disa pasoja në përgjithësi siç do t’i kenë edhe shtetet europiane. Përkundrazi, nuk e shoh diçka shqetësuese.”,- tha profesori universitar, Ljubomir Fërçkovski.
 
Konfliktet ndërshtetërore, izraelitët zgjidhjen e shohin në liderë të mirëfilltë
 
Sipas Fërçkovskit konfliktet ndërshtetërore duhet të zgjidhen me dialog dhe ndërmjetësim, duke aluduar edhe në konfliktin disadekadësh midis Izraelit dhe Palestinës. Por ish nënkryetari  parlamentit Izraelit tha se për arritje të marrëveshjes në konflikte midis dy vendeve nevojiten lidership i mirëfilltë dhe besim i ndërsjellë.
 
“Nuk është vetëm të kesh ushtri të fuqishme që të mbrohesh, por ne e kemi obligim që të arrijmë marrëveshje paqeje. Çdo qytetar në cilindo vend të botës duhet t’i takojë një shteti dhe të mos varet nga dikush tjetër. Në bisedime, partnerin kundërshtar ndoshta nuk e shihni si partner ideal, por ideja është që atë ta bëni partner ideal dhe të ktheni besimin e ndërsjellë.”,- u shpreh ish nënkryetari i parlamentit izraelit, Hilik Bar.
 
Ademi: Dialogu, e vetmja zgjidhje
 
Marrëveshjet e paqes në konflikte, përkrahu edhe Labinot Ademi eksperti i sigurisë nga Kosova.
 
“Uroj që të mbizotërojë diplomacia, demokracia dhe ku lapsi është e vetmja armë midis dy konflikteve.”,- theksoi eksperti i sigurisë, Labinot Ademi.
 
Negociatat e delegacioneve ruse dhe ukrainase pas tre përpjekjeve bisedimesh në territorin bjellorus, pa rezultate konkrete në shuarjen e tensioneve në teren. Bisedimet janë zhvilluar pa ndërmjetësim e që të enjten pritet të shtrihen në nivel të ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësim të ministrit të jashtëm të Turqisë.
 
MERAL ISMAILI