Maqedoni

VMRO-DPMNE: Të zvogëlohet akciza e karburanteve për 50%

08.03.2022 16:11

Rritja e fundit e çmimit të karburanteve paraqet ngarkesë të madhe dhe goditje sociale për qytetarët, vlerësojnë nga VMRO-DPMNE...

Rritja e fundit e çmimit të karburanteve paraqet ngarkesë të madhe dhe goditje sociale për qytetarët, vlerësojnë nga VMRO-DPMNE. Sipas tyre, edhe pse Qeveria ka qenë në dijeni për situatën që do të krijohet, nuk ka ndërmarrë asgjë për ta penguar të njejtën. Nga kjo parti kërkojnë që me urgjencë të pranohet masa për uljen e akcizës tek karburantet për 50% si dhe TVSH-së për produktet ushqimore dhe ngrohjen qendrore.
 
“Arsyetim nuk mundet të jetë lufta në Ukrainë, duke pasur parasysh që vet kryetari Pendarovski ka thënë se udhëheqësia e shtetit e di për këto ndodhi më së paku 4 muaj më herët, ndërsa Qeveria e Zaevit dhe Kovaçeskit nuk ndërmorën asgjë që të pengohet kjo goditje e çmimeve. Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së kërkon me urgjencë dhe pa vonesë të pranohen masat e VMRO-DPMNE-së për zvogëlimin e akcizës tek karburantet për 50%.”,- deklaroi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
 
Aleanca për Shqiptarët: Të zvogëlohet akciza dhe TVSh-ja
 
Edhe Aleanca për Shqiptarët vlerëson se rritja e çmimit të karburanteve si dhe produkteve të tjera ushqimore do të ketë ndikim negativ në buxhetin familjar. Edhe nga kjo parti propozojnë uljen e taksave dhe akcizës për të cilën thonë se janë në nivel të lartë.
 
“Ulja e akcizës nga 22 denarë për benzinën në 15 denarë si dhe për dizelin nga 15 denarë që është aktualisht në 9 denarë. Ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar, TVSh-së, nga 18% në normën preferenciale prej 5 %, njëjtë siç vepruan me çmimin e energjisë elektrike… pasi çmimet në bursat botërore çdo ditë po shënojnë rritje propozojmë që Qeveria të aplikojë ngrirje për taksat dhe akcizat. Të ulet në minimin e mundshëm edhe marzha e tregtimit nga shitësit me pakicë.”,- theksoi Arben Zeqiri nga Aleanca për Shqiptarët.
 
LSDM: Janë ndërmarrë dhe do të ketë masa të reja
 
Ndërkohë, nga LSDM vlerësojnë se Qeveria ka dëshmuar se me sukses po ballafaqohet me krizën ekonomike dhe energjetike. Qeveria së shpejti do të propozojë pako të masave konkrete për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe zbutjen e pasojave negative pas rritjes së çmimeve, thonë nga LSDM.
 
“Pres që sa më shpejtë të jetë e mundur Qeveria të dalë me pako të masave, të cilat do të jenë në drejtim të përmirësohet dhe mbrohet standardi i qytetarëve. Kjo qeveri ka ndërmarrë një sërë masash me rritjen e pagave, por gjithsesi edhe me pako të masave direkte të cilat u janë dedikuar qytetarëve që më lehtë të sanohen pasojat e krizës.”,- theksoi Darko Kaevski nga LSDM.
 
Deri më tani, opozita në Kuvend ka propozuar ligje për zvogëlimin e tatimeve e qytetarëve si dhe për rritjen e pagave dhe pensioneve.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI
GAZETARE:
FLORIJE BELULI KAMBERI