Maqedoni
Haraçinasit 5 ditë pa rrymë elektrike, banorët kërkojnë përgjegjësi nga EVN
08.03.2022 16:48
Banorët e Haraçinës për pesë ditë radhazi po përballen me mungesë të energjisë elektrike...

Banorët e Haraçinës për pesë ditë radhazi po përballen me mungesë të energjisë elektrike. Banorët të revoltuar thonë se është absurde të ndodh një gjë e tillë në këtë të ftohtë dhe përderisa ka banorë që paguajnë rregullisht faturat e rrymës. Banorët që anketoi TVM2 ankohen edhe për fatura tejet të larta të cilat, siç thonë, për standardin tonë janë të papërballueshme.
“Katastrofë është, mu më vjen keq për ata që paguajnë, por ata që nuk paguajë le të kujdesen vet. Në fshatin Haraçinë paguhet 17 mijë apo 18 mijë denarë, e ne nuk kemi fabrika në shtëpi, ne kemi vetëm këto shtëpi. Le të vinë të kontrollojnë ose të gjejnë një zgjidhje kush e ka për detyrë.”,- tha një qytetar.
“Kërkojnë ta paguajmë rrymën me të vërtetë duhet të paguhet, por duhet të më japin ata mu që un t’u jap atyre. Ku të marr, edhe unë me 9 mijë denarë gjashtë anëtarë jemi. Ka të sëmurë, nuk kemi çka të bëjmë. Marrim ballonë me ujë të ngrohtë që t’i lajmë fëmijët, mu më vjen rryma dhjetë mijë denarë dhe nëntë mijë denarë kam pensionin nga t’ia mbajë.”,- theksoi një qytetar.
“A paguani me rregull - jo, 350 euro kam faturën për një muaj rryma dhe unë një denarë nuk e marr prej shtetit.”,- u shpreh një qytetar.
“Ka pesë ditë ujë nuk kemi, as në Afrikë nuk jetohet kështu, jemi ngrirë me fëmijët të gjithë. Kemi fëmijë të vegjël aty me një koftor po ngrohemi me një dhomë, është shumë vështirë në shekullin 21 me ndodh kjo gjë.”,- potencoi një qytetar.
Mungesa e rrymës shqetësoi më shumë nxënësit të cilët u detyruan të kthehen sepse mësimi nuk mundej të zhvillohet.
“Erdha t’ia uroj mësueses 8 marsin, por u ktheva sërish sepse nuk kishte rrymë dhe është ftohtë.”,- tha një nxënëse.
“Desha t’ia uroj mësueses 8 marsin, por shkolla nuk punon dhe duhet të kthehemi. Na thanë arsimtarët se është ftohtë dhe nuk mësohet.”,- u shpreh një nxënëse.
EVN me sqarim, banorët kyçen ilegalisht, sulmojnë ekipet
Për këtë problematikë kërkuam përgjigje nga EVN nga ku sqarojnë se një numër i caktuar i banorëve kyçen ilegalisht në rrjetin elektrik, duke shkaktuar defekte në rrjet, po ashtu sulmojnë shpesh ekipet e EVN-së gjatë intervenime në teren.
“Në fshatin Haraçinë, vendasit ua ndalojnë qasjen ekipeve të elektrodistribuimit dhe i pengojnë gjatë kryerjes së aktiviteteve teknike të përditshme si dhe sanimin e defekteve. Për shkak të shfrytëzimit të vazhdueshëm ilegal të energjisë elektrike nga ana e banorëve, mbingarkohen tranfostacionet dhe shkaktohen defekte të mëdha. Përderisa nuk ka kushte për punë dhe funksionim normal për shkak të arsyeve të lartpërmendura, nuk do të ketë mundësi për sanim të defekteve.”,- thonë nga EVN.
Pas xhirimeve që realizoi ekipi i TVM2, nga banorët u informuam se fshati i Haraçinës u pajis me rrymë dhe banorët mund të kryejnë aktivitet e përditshme.
FLUTURA LATIFI
