Maqedoni

Trajanovski përplaset me opozitën shqiptare

29.12.2014 17:37

Përdorimi i gjuhës shqipe në qytetin e Shkupit ka përplasur edhe në seancën e fundit të vitit këshilltarët shqiptarë të opozitës dhe kreun e Shkupit, Koce Trajanovskin...

Nga PDSH-ja pyesin nëse Qyteti i Shkupit ka ndërmend t’i propozojë kuvendit ndryshimet ligjore që do të rregullonin përdorimin e gjuhës shqipe në kryeqendër.
 
“Si institucion, nga bisedat që keni pasur, a keni ngritur iniciativë deri tek organi përgjegjës, parlamenti, për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe, e jo vetëm fjalë të kota dhe premtime”- deklaroi këshilltari i PDSH-së në Qytetin e Shkupit, Idriz Orana.
 
Por, Trajanovski thotë se qyteti i Shkupit punon sipas ligjeve që tashmë janë të precizuara në këtë temë, e nuk kanë nevojë për ndërhyrje plotësuese.  
 
“Ligji është i precizuar dhe ne punojmë në bazë të atij ligji. Ligji për emërimin e shesheve, urave, bulevardeve dhe objekteve të tjera tregon qartë se si duhet të emërohen ato. Këtu nuk kemi asnjë paqartësi si Qytet i Shkupit, prandaj dhe nuk kemi ngritur iniciativë”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Seanca e fundit e vitit u karakterizua edhe me akuzat mes Trajanovskit dhe opozitës maqedonase.
 
Kjo e fundit kërkoi llogari pse janë penguar nxënësit e shkollave të mesme të marrin pjesë në protestën e studentëve kundër testimit shtetëror në fakultete, por Trajanovski tha se nuk ka informatë për një gjë të tillë. 
 
Në seancë u kërkua llogari edhe për problemin në Shkollën Ekonomike “Arseni Jovkov” dhe për shumë çështje të tjera që tangojnë Qytetin e Shkupit. 
 
MEFAIL ISMAILI