Maqedoni
Anketë: rritet besimi në punën e policisë
29.12.2014 17:40
Hulumtimet e fundit të Agjencisë “Rejting” dhe OBSE thonë se është rritur besimi tek qytetarët sa i përket punës së Policisë në Maqedoni...

Nga viti 2008 prej kur edhe bëhet ky lloj i hulumtimit, është rritur përqindja e qytetarëve të cilët janë të kënaqur nga puna e policisë për 20 %.
“Nga hulumtimi i fundit mundemi të konstatojmë se vazhdon trendi pozitiv për rritjen e besimit të qytetareve për punën të cilën e kryen policia dhe ky është shkaku kryesor që ne ekzistojmë si servis”- deklaroi ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska.
Nga OBSE-ja rekomandojnë që secili sektorë të ketë në dispozicion buxhetin e vetë, për të përmbushur kërkesat e qytetarëve, për të rritur numrin e policëve të uniformuar në vendet rurale.
“Të dhënat nga hulumtimi na kanë mundësuar edhe ne edhe policisë që të identifikojmë aktivitete të ardhshme për zgjidhjen e shumë problemeve të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë etnike në vend”- tha ambasadori i OBSE-së në Maqedoni, Ralf Bred.
Në këtë anketë janë përfshirë 10 tema, ajo nga puna e policisë, kualiteti i saj brenga për siguri personale, duke vazhduar edhe deri tek bashkëpunimi me mediumet.
“Bashkëpunimi midis policisë dhe qytetarëve edhe më tej duhet të përmirësohet edhe pse ka trende të vogla pozitive në krahasim me vitin 2012. Ka hapësirë për t’u përmirësuar puna e institucioneve me të cilat po bëhet ky bashkëpunim”- theksoi Nikolla Spasov nga Agjencia “Rejting”.
Ky lloj i hulumtimit ka filluar që nga viti 2002 dhe ky është hulumtimi i shtatë me radhë dhe bëhet çdo dy vite. Këtë vit janë anketuar 2600 qytetarë dhe 500 policë.
Po ashtu, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, e pyetur rreth përfaqësimit në MPB tha se në disa sektorë të caktuar bashkësitë etnike janë të përfaqësuara me mbi 50%.
Njëherit, sipas saj, MPB-ja do të vazhdojë të mbajë llogari për atë që parashikon kushtetuta, për përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë për të gjitha bashkësitë etnike në Maqedoni në tërë territorin e Maqedonisë.
BESIM ABDULLAI
