Ekonomi
VMRO-DPMNE: Pushteti të pranojë uljen e akcizës dhe TVSh-së
09.03.2022 13:47
VMRO-DPMNE ka ftuar pushtetin që të pranojë propozimet e grupit të tyre parlamentar për uljen e akcizës së karburanteve për 50%...

VMRO-DPMNE ka ftuar pushtetin që të pranojë propozimet e grupit të tyre parlamentar për uljen e akcizës së karburanteve për 50% dhe uljen e TVSH-së për të gjitha produktet ushqimore nga 5% në 0%. Opozita thotë se kjo grabitje masive duhet të ndalet dhe qeveria të reagojë menjëherë.
“Kur në Republikën e Maqedonisë kemi katër situata krize, krizë shtesë të paralajmëruar dhe rritje të çmimeve të pothuajse të gjitha shërbimeve dhe produkteve, refuzimi i propozimeve tona është grabitje klasike dhe pafytyrësi duke injoruar kërkesat e qytetarëve dhe ekonomisë. Ndaloni vjedhjen e qytetarëve përmes akcizave dhe taksave të rritura, ndaloni tenderët në katër sy, ndaloni pasurimin dhe luksin personal. Kjo është e vetmja zgjidhje që qytetarët presin dhe kërkojnë nga ju.”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Qeveria kujdeset për standardin e qytetarëve
Por, nga LSDM thonë se qeveria vazhdimisht kujdeset për mbrojtjen dhe avancimin e standardit ekonomik të të gjitha kategorive të qytetarëve.
“Derisa qeveria po gjen mënyra për t'u përballur me krizën globale, VMRO-DPMNE po bën gjithçka që mundet për të përhapur dezinformata dhe për të nxitur panik te qytetarët. LSDM si parti përgjegjëse, vazhdon me zbatimin e masave dhe politikave për mbrojtjen e standardit të qytetarëve, veçanërisht të kategorive më të prekura.”,- thonë nga LSDM.
Në këtë drejtim sipas tyre është edhe përgatitja e paketës së re të masave, me qëllim parandalimin e goditjes më të madhe të çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe energjisë.
NAIM RAMADANI
