Maqedoni

Shumica parlamentare pro reformave në arsim

29.12.2014 18:11

Kuvendi filloi debatin e përgjithshëm mbi pakon e ligjeve nga fusha e arsimit...

Propozim-ndryshimet për ndryshimin e Ligjit për Arsim Fillor dhe Ligjit për Arsim të Mesëm vetëm japin mundësi ligjore për të shpërblyer nxënësit që do të fitojnë njërin nga tre vendet e para në gara ndërkombëtare dhe shpërblim për profesorin i cili do të angazhohet në përgatitjen e nxënësit. Garë ndërkombëtare nënkupton garë në të cilën marrin pjesë nxënës prej së paku 10 shteteve të ndryshme. 
 
“Ministria për nxënësit dhe mësimdhënësit të sigurojë shpërblim me para në shumë prej 50% të rrogës neto në RM-së për nxënësit të cilët e zënë vendin e parë, të dytë ose të tretë, si dhe për mësimdhënësin i cili e ka trajnuar dhe përgatitur”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
 
Pakoja e ligjeve në tërësi ka gjetur mbështetjen e shumicës parlamentare. Protesta e studentëve dhe shoqërisë akademike kundër këtyre ligjeve shihet si reagim i zakonshëm kur bëhet fjalë për reforma.  
 
“Të gjithë juve ju kujtohet viti 1997, bile disa nga protagonistët janë këtu me ne. Ministria e Arsimit asokohe propozoi ndryshime në Ligjin për Arsim, duke iu lejuar studentëve shqiptarë në Fakultetin Pedagogjik që të vijojnë studimet në gjuhën shqipe. Imagjinoni nga kjo distancë kohore, mijëra studentë u ngritën në këmbë për të protestuar kundër këtij ndryshimi minimal”- tha Artan Grubi nga BDI.
 
“Ndryshime të vogla, por me rëndësi në drejtim të përmirësimit të cilësisë së arsimit në RM-së. Ideja e qeverisë në këtë pako ligjesh është e njohur dhe vendosmëria për rritjen e standardeve dhe cilësisë është për t’u përshëndetur”- theksoi Bllagica Lasoska nga VMRO-DPMNE.
 
Sipas opozitës shqiptare, këto ndryshime ligjore në arsim nuk kanë qenë aq emergjente sa gjendja në shkollat, posaçërisht në ato me mësim në gjuhën shqipe.   
 
“Jo sot, po prej ditës së parë, ju duhej ta zgjidhni çështjen e emrave të shkollave në Çair. Është problem kaq i vogël, por ja që për fajin tuaj ju nuk arrini ta zgjidhni një problem kaq të vogël”- u shpreh Bekim Fazliu nga PDSh.
 
Përveç ndryshimeve në Ligjin për Arsim Fillor dhe atë për Arsim të Mesëm, ministria propozon edhe ngritjen e një akademie për mësues, ndryshime ligjore për licencimin e mësimdhënësve, të cilët do t’i motivojë me shtesa në rrogë në vlerë prej tre mijë denarë, ndryshime në Ligjin për Arsim të Lartë, i cili parasheh provim pranues për studentët e huaj, aplikimin e provimit shtetëror pas vitit të dytë dhe në fund të studimeve.
 
SHPËTIM NUREDINI