Maqedoni

Testimi “Tims”, do të testohen njohuritë në lëndët ekzakte

09.03.2022 14:19

Testimi “Tims”, që do të realizohet vitin e ardhshëm, parashihet të përfshijë 150 shkolla fillore dhe 4000 nxënës...

Testimi “Tims”, që do të realizohet vitin e ardhshëm, parashihet të përfshijë 150 shkolla fillore dhe 4000 nxënës. Përmes këtij testimi,  Qendra Shtetërore e Provimeve synon të kontrollojë njohuritë e nxënësve. 
 
“Qëllimi i pjesëmarrjes së vendit tonë në studimet ndërkombëtare “Tims” është të shihet se cili është niveli i njohurive matematikore dhe lëndëve tjera ekzakte te nxënësit e klasës së katërt, si dhe cilët faktorë ndikojnë në këto të arritura që paraqet instrument të rëndësishëm për kreatorët e politikave arsimore, siç është MASh, por edhe hulumtimeve tjera në sferën e arsimit në vendin tonë.”,- tha Elizabeta Naumovska nga Qendra Shtetërore e Provimeve.
 
Testimi i parë provë u bë në Shkollën Fillore “26 korriku”, ku u testuan njohuritë e nxënësve të klasës së katërt në lëndët ekzakte.  
 
“Përfaqësuesit e Qendrës Shtetërore u ofruan ndihmë nxënësve që për here të parë ballafaqohen me kompjuterë dhe tani po shohim nxënës të buzëqeshur, të entuziazmuar, që punojnë me kompjuterë, shpresoj se kjo do të jetë mësim për ne, ta dimë se si ta paraqesim testimin vitet e ardhshme.”,- tha drejtoresha e Sh. F “26 korriku”, Besare Sejdi.
 
Me rezultatet e fituara do të bëhet analizë komparative me vendet tjera pjesëmarrëse dhe vendi do të rangohet sipas rezultateve të arritura. 
 
FLUTURA LATIFI