Maqedoni

Rritet energjia, me çfarë të ngrohemi? Nuredini: Ngrohuni pa ndotur ambientin!

09.03.2022 14:41

Shumë herë kemi ngritur alarmin për djegien e materialeve për ngrohje që ndotin ambientin....

Shumë herë kemi ngritur alarmin për djegien e materialeve për ngrohje që ndotin ambientin. Rritja e energjisë elektrike dhe rritja e derivateve tanimë që dimri ende nuk ka përfunduar, shtron pyetjen se me çfarë do të ngrohen qytetarët. 
 
“Ideja nuk është të përdorim çdo material për t’u ngrohur. Ne si Qeveri po përgatitemi për të ardhmen, të mendohemi që të kemi mjaftueshëm energji për ngrohje në dimrin e ardhshëm.”,- tha ministri i mjedisit jetësor, Naser Nuredini.
 
Pagesa për qeset e plastikës, Nuredini: 7 herë më pak qese të hedhura
 
Në mbrojtjen e ambientit jetësor, një masë që ka dhënë rezultat është ajo e vendosjes së pagesës për qeset plastike, thotë ministri Nuredini.
 
“Jemi një hap para për shkak se ne tani përdorim 7 herë më pak qese plastike në vend dhe mendoj se kjo për ne është hap i madh pasi që qindra tonelata kemi më pak plastikë në ambientin rreth nesh. Tani ne ato mjete do t’i investojmë në kontejnerë për mbeturina.”,- u shpreh ministri i mjedisit jetësor, Naser Nuredini.
 
Forsgren Bangston: Për ambient të gjelbër, shoqëria civile rol kyç
 
Edhe OJQ-të i janë bashkuar luftës për mbrojtjen e ambientit.
 
“Ne besojmë se Maqedonia e Veriut ka një mundësi të shkëlqyer për të bërë hapa të guximshëm përpara në një drejtim të gjelbër dhe të qëndrueshëm dhe shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm në këtë proces.”,- u shpreh ambasadorja e Suedisë në RMV, Christine Forsgren Bangston.
 
Projekti “OJQ-të në veprim për ndryshimet klimatike” realizohet nga Shoqata Eko-ndërgjegje, bashkë me Shoqatën e Juristëve të Rinj MYLA, Organizatën për Mbrojtjen e Vlerave Natyrore dhe të qytetarëve - SNVQ me mbështetje nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar - AIDS. Ai kap një vlerë prej 1.3 milionë euro. Grandet për realizimin e projekteve janë nga 5-50.000 euro. 
 
GYLTENE SINANI