Maqedoni
Rruga “Petar Drapshin”- Kumanovë, banorët: Rrezikojmë jetën, as rrugë as kanalizim
09.03.2022 15:15
Banorët e Rrugës “Petar Drapshin” në qytetin e Kumanovës, vite të tëra jetojnë pa kanalizim atmosferik dhe fekal...

Banorët e Rrugës “Petar Drapshin” në qytetin e Kumanovës, vite të tëra jetojnë pa kanalizim atmosferik dhe fekal, pa rrugë të asfaltuar dhe pa infrastrukturë tjetër të nevojshme komunale. Banorët e revoltën thonë se çdo ditë rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre. Sidomos të rrezikuar janë fëmijët, pasi çdo ditë kalojnë afër kanalit të hapur.
“Kushtet janë alarmante, nuk kemi as kanalizim, as asfalt, as ujësjellës, siç po shihni kanalizimi nuk është i mbuluar ku mund të kemi edhe probleme tjera. Fëmijët tanë çdo ditë shkojnë në shkollë, unë i kam 3 mbesa, fqinji i ka 9 fëmijë, të cilët rrezikojnë çdo ditë të bien në kanal, e pastaj duhet ta kalojnë këtë rrugë në shi, borë, nëpër baltë, varësisht prej motit.”,- tha banori i lagjes, Mehmet Ismaili.
“Shumë të këqija janë kushtet, sidomos kur ka të reshura të shiut dhe borës nuk mund të dalim nga shtëpitë. Këtu në kanal hedhin mbeturina, pastaj po vijë erë e keqe. Presim nga komuna tash e disa vite, mirëpo ende konkrete nuk ka asgjë, edhe pse na kanë premtuar, duhet me patjetër të rregullohet kjo rrugë.”,- tha banori i lagjes, Ali Emini.
Komuna e Kumanovës: Janë objekte pa leje, zgjidhje deri në 2023-shin
TVM2 kontaktoi komunën e Kumanovës, nga ku na thanë se bëhet fjalë për disa objekte banesore të ndërtuara pa dokumentacion teknik apo të njohura si ndërtime pa leje. Megjithatë edhe për këtë lagje paralajmërohet zgjidhje e këtij problem deri në vitin 2023.
“Komuna e Kumanovës do të bëjë përpjekje maksimale që edhe në atë pjesë tu mundësohen qytetarëve kushte të volitshme për jetesë. Ne punojmë në përputhje me programin për rregullimin e tokës ndërtimore dhe planin e infrastrukturës komunale si dhe me planin për zhvillim të Komunës së Kumanovës. Në bazë të këtij plani qartë shihet se në periudhën e vitit 2022-2023 është e paraparë të ndërtohet një pjesë e rrugës infrastrukturore në rrugën “Petar Drapshin”, mirëpo shkak për vonimin e ndërtimit është pikërisht mungesa e dokumentacionit urbanistik.”,- theksoi udhëheqësja sektori për çështje komunale - komuna e Kumanovës, Lidija Llang.
Nga komuna thonë se po punohet në rregullimin e këtyre dokumenteve, më pas përgatitja e dokumentacionit teknik e në fund edhe rrumbullakimi i të gjithë projektit.
FATLUM AQIFI
