Britania reagon pas sulmit rus ndaj një materniteti në Ukrainë: Krim i tmerrshëm!
Britania vijon të mbajë një qëndrim të ashpër.....

Britania vijon të mbajë një qëndrim të ashpër, lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës. Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka reaguar pas sulmit rus ndaj një spitali të fëmijëve dhe maternitetit në Mariupol të Ukrainës.
“Ka pak gjëra më të liga sesa të shënjestrosh më të pambrojturit”, ka shkruar ai në Twitter.
Kreu i qeverisë britanike tha se shteti i tij po shikon për mënyra për të ndihmuar Ukrainën, që të mbrohet kundër sulmeve ajrore. Johnson tha se qeveria britanike do ta mbajë përgjegjës presidentin rus, Vladimir Putin, “për krimet e tij të tmerrshme”.
Zyrtarët ukrainas thanë se 17 persona janë plagosur në sulmin ajror rus në spitalin e fëmijëve dhe maternitetit në Mariupol, në jug të Ukrainës.
Shefi i administratës ushtarake ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut, Pavlo Kyrylenko, tha se numri i fëmijëve të plagosur “është zero, falë Zotit dhe shpresojë që ky numër të mos ndryshojë”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmi i 9 marsit ishte një “mizori”, duke ripërsëritur thirrjet që Shtetet e Bashkuara dhe NATO të krijojnë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën.
“Mbyllni qiellin tani. Ndaloni vrasjet. Ju e keni fuqinë, por duket se jeni duke e humbur humanitetin”, ka thënë ai.
Këshilli i qytetit të Mariupolit ka thënë se sulmet ajrore kanë shkaktuar “shkatërrim kolosal” të maternitetit dhe spitalit të fëmijëve.
