Maqedoni

Çmimet e derivateve, KRRE llogarit nëse ka nevojë për ndryshime

10.03.2022 13:04

Teksa qeveria merr masa e opozita nuk është e kënaqur, Komisioni Rregullator për Energjetikë...

Teksa qeveria merr masa e opozita nuk është e kënaqur, Komisioni Rregullator për Energjetikë po përllogarit nëse janë plotësuar parakushtet për ndonjë vendim të ri për çmimin e karburanteve, sepse ndryshimet në Rregulloren për përcaktimin e çmimeve më të larta me pakicë të disa derivateve të naftës dhe derivateve të transportit, i mundësojnë KRRE-së që të marrë vendime për ndryshimin e çmimeve të derivateve të naftës në baza ditore, nëse çmimet e bursës kanë ndryshime të konsiderueshme.

Janë analizuar elementet kryesore të përfshira në çmimin përfundimtar, siç janë kotacionet e derivateve të naftës në bursë dhe kursi i dollarit ndaj denarit.

“Me ndryshimet në rregullore parashihet që nëse çmimet e bursave dhe/ose kursi i dollarit kundrejt denarit shkaktojnë rritje apo ulje të çmimit me pakicë më të madhe ose të barabartë me 2,00 denarë për litër për benzinën motorike, dizelin dhe naftë për djegie, gjegjësisht 0,300 denarë për kilogram mazut, në raport me çmimet e përcaktuara në vendimin e fundit, atëherë KRRE do të marrë vendim të ri për çmimet më të larta me pakicë të derivateve të naftës", theksojnë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.