Strugë, janë rritur çmimet e banesave në qytet

10.03.2022 14:38

Janë rritur çmimet e banesave në qytetin e Strugës.....

Janë rritur çmimet e banesave në qytetin e Strugës. Çmimet e banesave të reja variojnë nga 700 deri në 1300 euro, varësisht nga lokacioni i ndërtesës. Lokacionet më atraktive dhe me çmimet më të larta janë kryesisht në bregun e liqenit të Ohrit dhe përreth lumit Drini i Zi.

Ndërsa banesat më të lira, të cilat variojnë nga 500 deri në 700 euro, janë banesat e vjetra të ndërtuara më parë. Në dy vitet e fundit, për shkak të pandemisë, çmimet e patundshmërive në Strugë janë rritur për 20%.

“Të dhënat flasin që ka rritje diku 20%, por ajo nuk është vendim i ndërtuesve, po kemi një rritje të materialeve të ndërtimit, kemi një situatë të re të krijuar ku mbyllja me pandeminë, detyroi ose orientoi qytetarët edhe në nivel Evropë që kapitalin e tyre ta ndiejnë në patundshmëri se sa në aksione, ka ndikuar edhe rritja e kualitet dhe komoditetit dhe rritet edhe çmimi.”,- deklaroi Inajet Pollozhani nga Agjencia për Pasuri të Patundshme në Strugë.

Mërgimtarët janë blerësit më të mëdhenj të banesave dhe shtëpive në Strugë, por edhe vendasit kohëve të fundit investojnë në patundshmëri. Ndërsa ende është i vogël numri i të huajve që janë të interesuar të blejnë pasuri të patundshme në Strugë.

“Kur përmendim termin mërgimtar duhet të kemi kujdes, sepse për dallim nga më herët, para 20 viteve, tash ata përbëjnë numër konsiderueshëm tek ne dhe normal që kërkesa nga ata është shumë e madhe. Po të kalojmë në raport kushtimisht vendas dhe mërgimtar, padyshim që mërgimtarët prijnë, por mendoj që edhe vendasit janë mirë, dhe treguesi është ajo që p.sh. vet fakti që në banka është rrit numri i kërkesave për kreditim dhe kryesisht kreditohen vendasit, dhe tregohet që ka interes.”,- tha Pollozhani.

Deri para dy vitesh, çmimet e banesave më atraktive në Strugë varionin nga 500 deri në 900 euro. Arsye shtesë e rritjes janë rekomandimet e UNESCO-s, pra ndalimi i ndërtimeve pranë bregdetit. (Ilmije Zhaku, TVM2)