Takimi Kuleba-Lavrov në Ankara përfundoi pa marrëveshje për armëpushim
Takimi në mes të ministrit të jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov...

Takimi në mes të ministrit të jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe homologut të tij ukrainas, Dmytrij Kuleba, në Ankara të Turqisë, ka përfunduar pa marrëveshje për korridore humanitare dhe armëpushimin.
Ministri i jashtëm ukrainas, Kuleba, pas takimit tha se ka kërkuar hapjen e një korridori humanitar përmes të cilit do të largoheshin civilët nga qyteti i Mariupolit, por sipas tij, “fatkeqësisht ministri Lavrov nuk ishte në pozitë që të zotohej për këtë”.
Kuleba tha se u kërkua një armëpushim 24 orësh me qëllim “të zgjidhjes së çështjeve më urgjente humanitare". Mes tjerash, Kuleba tha se ata ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet për të kërkuar një zgjidhje për çështjet humanitare dhe shtoi se ai është i gatshëm të takohet përsëri në këtë format nëse ka gatishmëri për diskutim thelbësor dhe kërkim të zgjidhjeve.
“Nuk ka qenë një takim shumë pozitiv, me qëllim për të arritur korridore humanitare për Mariupolin, ndër qytetet më të goditura. Lavrov nuk u tregua i angazhuar, por do të kërkojë bisedime. Nuk pati marrëveshje për korridore në Mariupol, nuk ka armëpushim, nuk pati progres, por do të vijojnë përpjekjet.”,- tha ministri i punëve të jashtme i Ukrainës, Dmytrij Kuleba.
Shefi i diplomacisë së Ukrainës njëherit theksoi se vendi i tij nuk do që të dorëzohet.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Lavrov, pas takimit pati kritika të shumta për Perëndimin, duke thënë se janë duke vepruar në mënyrë të rrezikshme në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë si dhe me rastin e armatosjes së Ukrainës. Megjithatë, Lavrov tha se nuk beson se përplasja e Rusisë me Perëndimin për Ukrainën do të çonte në luftë bërthamore.
Takimi i sotëm konfirmon se formati i takimeve Rusi – Ukrainë në Bjellorusi nuk ka alternativë tjetër, tha Lavrov. Ai theksoi se propozimet e Rusisë janë marrë nga pala ukrainase, ndërsa tashmë presin përgjigjen e tyre.
“Putin e ka përshkruar qartë se përse kërkoi një operacion ushtarak. Ne duam një Ukrainë miqësore të çmilitarizuar, që nuk përbën kërcënime, që nuk është një vend nazist, kjo reflektohet tek të gjitha apelet tona, aleatët perëndimorë, pati përjashtim të gjuhës ruse, kishave ortodokse ruse.”,- theksoi ministri i punëve të jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov.
Lavrov krahasoi sërish Kosovën me Ukrainën. “Kur Kosova shpalli pavarësinë, Perëndimi e duartrokiti. Por, pse shqiptarët lejohen ta bëjnë këtë dhe rusët në Ukrainë jo? Shqiptarët u lejuan të punojnë në këtë drejtim nga Perëndimi”,- tha Lavrov.
Takimi në Antalia të Turqisë duhet t’i hapë rrugën një takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymr Zelensky, është shprehur ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, i cili tha se ky është objektivi i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Ndërkohë Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron kërkuan një armëpushim të menjëhershëm në një telefonatë që ata patën me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kanë njoftuar nga qeveria gjermane.
Macron dhe Scholz i thanë Putinit se çdo zgjidhje për luftën në Ukrainë duhet të arrihet përmes negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë, tha zyrtari gjerman.
Ata kanë rënë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë në ditët në vijim. (Rexhep Qamili, TVM2)
