Dhuna në shkolla fenomen i përditshëm, trekëndëshi nxënës-prind-profesor inekzistent
Dhuna në shkollë është fenomen që ndodh....

Dhuna në shkollë është fenomen që ndodh shpesh në të gjitha format, si dhunë fizike, psikike, gjinore e sajber dhunë. Në hulumtimin e realizuar nga “Analitika Tink Tenk”, në tri shkolla të mesme etnikisht të përziera potencohet se 65 për qind prej nxënësve kanë qenë drejtpërdrejt të kyçur në dhunë, ndërsa të tjerët kanë vëzhguar. 60 për qind nga nxënësit e anketuar potencojnë se dhuna fizike është forma më dominante e dhunës që kanë vërejtur në shkollë.
“Profesori ka gjuajtur me stilolaps nxënësin dhe i ka dëmtuar pjesën e syrit dhe kjo ngjarje është bërë tragjike kanë ardhur prindërit, drejtori, pedagogët është bërë shumë ngjarje tragjike.”,- u shpreh një nxënës.
“Një nxënës në klasë ishte viktimë, sepse profesori e pa duke bë zhurmë dhe reagoi më tepër keq sa që duhet, e kapi për bluze dhe mu ai veprim më është dukur shumë absurd dhe kjo në atë moshë të re është shumë traumatizuese.”,- theksoi një nxënës.
Dhuna është shndërruar në përditshmëri në shkollë, pranojnë profesorët të cilët marrin masa adekuate pedagogjike.
“Te ne në shkollë e dinë se mund të përjashtohen nga shkolla nëse dhuna psikike apo verbale kalon në dhunë fizike dhe nuk ka arritje të kulminimit të dhunës fizike, dhuna të ndryshme, po ato trajtohen me kujdestarët, ftohen prindërit, pedagogu dhe ne si drejtori marrim masat e duhura.”,- deklaroi ndihmësdrejtori në “Zef Lush Marku”, Besim Limani.
“Zakonisht në përditshmëri dominon dhuna psikike mes nxënësve, ku ka ofendime, nënçmime dhe më pas pasojnë konfliktet që shpeshherë kalojnë në dhunë fizike.”,- u shpreh profesoresha Vesna Trajkovksa Steroiv.
“Shqetëson fakti që 65 për qind nga nxënësit thonë se prindërit nuk janë të kyçur në parandalimin e dhunës dhe zgjidhjen e sjelljes së dhunshme te nxënësit dhe 62 për qind prej tyre thonë se bashkëpunimi mes prindërve arsimtarëve dhe shërbimeve pedagogjike pothuajse nuk ekziston.”,- theksoi “Analitika Tink Tenk”, Bojana Mioviq.
70 për qind prej nxënësve edhe pse kanë qenë dëshmitarë të dhunës nuk e kanë paraqitur atë nga frika apo sepse nuk dinë ku ta paraqesin. Qendra “Analitika” fton MASh që të kyçet në mënyrë aktive për parandalimin e të gjitha formave të dhunës në shkolla. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
