Maqedoni
Qeveria ia dorëzon Kuvendit masat ekonomike, Vançevska: Pres t’i miratojmë shpejt
10.03.2022 16:17
Qeveria ka dërguar në Kuvend ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe Ligjin për Akciza...

Qeveria ka dërguar në Kuvend ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe Ligjin për Akciza. Në shkresën e Qeverisë thuhet se këto ndryshime duhet të miratohen me procedurë urgjente parlamentare për të siguruar uljen e çmimeve më të larta me pakicë të benzinës dhe derivateve të tjera të naftës.
Këto ligje u referohen disa masave, siç është masa e uljes së normës preferenciale të TVSh-së për produktet ushqimore bazë nga 5% në 0%.
Deputetët e shumicë parlamentare presin që ndryshimet e ligjeve përkatëse do të ndodhin sa më shpejtë që të jetë e mundur. Presin edhe përkrahjen e opozitës.
“Unë pres që pavarësisht dallimeve që ekzistojnë në këtë Kuvend mes pushtetit dhe opozitës, që përfaqësojmë qytetarët, se do të kuptojmë seriozitetin e momentit dhe do të miratojmë të gjitha ndryshimet e nevojshme të ligjeve, në një kohë të shkurtër.”,- tha deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleva Vançevska.
Neziri: Qeveria të pranojë propozimet tona
Opozita konsideron se masat e Qeverisë janë populiste dhe nuk kanë asnjë efekt në buxhetin familjar. Edhe ASH edhe VMRO DPMNE ftojnë shumicën që të pranojnë propozimet e tyre.
“I bëjmë thirrje Qeverisë që të pranojë në mënyrë taksative propozimet tona. Akciza për benzinë nga 22 denarë të ulet në 15 denarë, ndërsa ajo e dizelit nga 15 në 9 denarë. Kjo shumë të jetë fikse dhe të mos varet nga lëvizjet e bursës. TVSH propozojmë që të ulet nga 18 në 5% dhe jo në 10% sa propozoi Qeveria.”,- tha deputeti i ASh-së, Adnan Neziri.
Panova: Masa shterp, votoni masat tona
“VMRO-DPMNE e fton shumicën parlamentare që të mos nxitohet pas populizmit shterp, të cilin populli nuk ua blen, dhe të martën më 15 mars, të përkrah pr/ligjet e VMRO DPMNE-së dhe koalicionit për uljen e TVSh-së për produktet ushqimore nga 5 në 0% dhe uljen e akcizës për 50%.”,- tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Eli Panova.
Përderisa pr/ligjet e opozitës janë vënë në rend dite në seancën e 66 të caktuar për më 15 mars, pr/ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe Ligjin për Akciza, të propozuara na Qeveria ende nuk janë në kalendarin e punës së Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi njoftoi se një pjesë e mirë e deputetëve janë në trajnime disatitore jashtë Shkupit, përfshi edhe ditën e shtunë. Kështu që, sipas të gjitha gjasave, masat qeveritare do të jenë në rend dite ditën e diel.
SHPËTIM NUREDINI
