Bekteshi: Buka, mielli dhe vaji do të shiten pa marzhë fitimi
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, bën të ditur se në koordinim me tregtarët...

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, bën të ditur se në koordinim me tregtarët, është arritur pajtueshmëri që buka, mielli dhe vaji deri më 31 maj të shiten pa marzhë fitimi.
Kjo nënkupton që buka, vaji dhe mielli tip 400 prej sot do të shiten me çmimet e furnizimit.
“Ministria e Ekonomisë dje ka bërë revizion të vendimit për ngrirjen e marzhave të profitit, ku në koordinim dhe bashkëpunim me tregtarët e vegjël, njëkohësisht edhe tregtarët e mëdhenj të cilët bëjnë shitje me pakicë edhe me shumicë, kemi ra dakord që pikërisht buka, mielli dhe vaji të shiten deri më 31 maj pa asnjë far lloj marzhe profiti tregtinë me pakicë dhe këtë e kemi dakorduar bashkërisht me të gjithë tregtarët, por njëkohësisht të zvogëlojmë edhe marzhat e profitit sa i përket tregtisë me shumicë nga 5 në 4% si dhe të tregtisë me pakicë nga 10 në 3 %.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi njëherit bëri të ditur se ndalohet eksportimi i vajit nga Maqedonia e Veriut. Sa u përket derivateve të naftës Bekteshi tha se para disa dite ka realizuar takim me tregtarët dhe se është siguruar se ka sasi të mjaftueshme.
Ndërsa sa i përket çmimit, Bekteshi thotë se ndryshimi i çmimit të karburantit në bazë ditore ka qenë kërkesë e vetë tregtarëve pasi ka ndryshime të vazhdueshme në bursën botërore, gjë që iu shkakton humbje.
Zeqiri: Ulja e marzhës mund të lë raftet pa mallra
Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore mbështet masat e qeverisë për të ndihmuar qytetarët dhe kompanitë por kërkon që autoritetet të jenë më vigjilente për atë se si ndahet ajo përkrahje.
“Diku mbi 600 mijë të punësuar në vend, nga numri total i cili nuk e kalon numrin 800 mijë, janë të punësuar në sektorin privat. Në fund të ditës nëse kompanitë private nuk ndihmohen, do të pësojnë qytetarët, duke i rrezikuar vendet e tyre të punës në këto subjekte private për shkak se kriza e cila ka kapluar tashmë është shumë e thellë dhe ne për këto rritje enorme të çmimeve apo qoftë të energjesnave kemi paralajmëruar qysh para vitit të ri.”,- tha Durim Zeqiri nga OEMVP.
Zeqiri njëherit thekson se duhet pasur kujdes me uljen e marzhës që të mos vijë deri te zbrazja e rafteve në markete.
“Kompanitë janë të gatshme që të kenë një far solidarizimi edhe me pushtetin por edhe me qytetarët për shkak se së paku do të ju mbulohen disa harxhime logjistike dhe operative. Rreziku ishte se këto produkte për shkak të shtrenjtimit dhe mos pasjes llogari për të punuar kompanitë kishin tendenca që të tërhiqeshin nga këto produkte dhe në fund të ngelin raftet e zbrazëta dhe në fund të pësojë qytetari i rëndomtë.”,- theksoi Durim Zeqiri nga OEMVP.
Edhe Bekteshi edhe Zeqiri vlerësojnë se miratimi i masave në mbrojtje të standardit të qytetarëve duhet të bëhet sa më shpejtë. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
