Dhuna në familje, Kosova përpilon ligjin, merr përvojat e RMV-së
Dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave....

Dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave fenomen shqetësues sikurse në vend por edhe në shtetin fqinjë Kosovë. Numri i viktimave nga dhuna në familje vitin e shkuar, atje tejkalon shifrën 1 mijë.
Autoritetet kosovare në përpjekje për të përpiluar ligjin për mbrojtjen e viktimave nga dhuna në familje, në Shkup dëgjuan përvojat e kolegëve të tyre.
“Jemi duke punuar në një ligj më radikal në Kosovë, e kemi parasysh edhe konventën e Stambollit të cilën jemi duke e inkorporuar në ligj.”,- tha kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, Duda Balje.
Shifrat që posedon ministria e punës dhe politikës sociale thuhet se në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar janë raportuar 608 raste të dhunës në familje. 80% e viktimave janë gra. Trajtimi i tyre bëhet në qendrat sociale. Janë hapur edhe 8 qendrave këshillëdhënëse për ndalimin e dhunës.
“Nuk duhet të punohet vetëm me viktimën, është tejet e rëndësishme që të hapen qendra për dhënien e këshillave dhe të punohet edhe me kryerësit e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.”,- u shpreh ministrja e punës dhe politikës sociale, Jovana Trençevska.
Por deputetët e vendit konsiderojnë se raportimi I ulët vjen si pasojë e procedurave të zvarritura ndëshkuese.
“Procedura e zbulimit, procedura e argumentimit, sanksionimit, ekzekutimit të sanksionimit, gjë të cilën vërtetë ndonjëherë edhe viktimat thjesht i privon nga dëshira për të raportuar, kur e kemi se sa gjatë do të shkojnë këto raste.”,- theksoi deputetja, Arta Bilalli Zendeli.
Maqedonia e Veriut nga viti 2021 ka përpiluar ligjin për mbrojtje dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje dhe për prioritet ka që i njëjti të shtrihet në nivel lokal dhe të trajtohen nga më shumë institucione shtetërore. (Meral Ismaili, TVM2)
