Maqedoni

KRRE ulë marzhën për derivatet, reagojnë tregtarët

10.03.2022 17:05

Komisioni Rregullator i Energjetikës ka publikuar sërish rritje të çmimit të derivateve të naftës...

Komisioni Rregullator i Energjetikës ka publikuar sërish rritje të çmimit të derivateve të naftës, përkatësisht benzina është shtrenjtuar për 3.50 denarë, ndërsa dizeli për 8.50 denarë.
 
Por, nga Komisioni kanë sqaruar se nëse do të shkohej me çmime reale rritja e çmimeve duhej të ishte edhe më e lartë, përkatësisht dizeli do të duhej të shtrenjtohet edhe për 10.5 denarë benzina për 5.5 denarë, por për të mos ardhur te rritja enorme e çmimeve, Komisioni Rregullator ka bërë balans, duke e zvogëluar marzhën e tregtarëve.
 
Siç bëri të ditur në një brifing me gazetarë, kreu i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimovski, marzha tregtare është zvogëluar për 33%, përkatësisht nëse deri tani marzha ishte 4,5 denarë për litër ajo tani është ulur në 3 denarë.
 
Nga Komisioni Rregullator theksojnë se për çmime të reja të derivateve të naftës do të vendoset për çdo ditë nëse krijohen kushtet, përkatësisht nëse duhet të ketë nevojë për rritje ose ulje të çmimit për 2 denarë. Por, tregtarët e derivateve të naftës kanë shprehur mospajtim me vendimin e Komisionit Rregullator për uljen e marzhës për 33%. 
 
Nga Kompania “Makpetrol” thonë se duke e pasur parasysh lidhjen ngushtë të dërgesës së rregullt të derivateve me funksionimin normal të shoqërisë, paralajmërojnë se ekziston rrezik për bllokadë të plotë të ekonomisë, jo vetëm në afat të shkurtë, por edhe në afat të gjatë. Kompanitë që furnizojnë derivate të naftës, nuk mund mbi vete ta mbajnë barrën e lëvizjes artificiale të çmimit të lirë të derivateve, si kategori sociale.
 
Megjithatë, bëhet fjalë për obligim të shtetit dhe të gjithë masave që u janë në dispozicion, por jo në llogari të logjikës së tregut dhe të kompanive private. Kjo masë populiste është jo e qëndrueshme dhe mund të krijojë panik shtesë midis qytetarëve, konsum të rritur dhe mungesë të derivateve, thekson “Makpetrol”. 
 
 
Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski, ka kërkuar mirëkuptim dhe solidaritet nga tregtarët. Sipas tij, lehtësim shtesë ndaj presionit të çmimit përfundimtar do të jenë edhe ndryshimet e paralajmëruara ligjore në pjesën e TVSh-së dhe të akcizës, të cilët apelon të miratohen më shpejt.
 
Janë paralajmëruar ulje të çmimeve të benzinës dhe derivateve të tjera të naftës nga masa për uljen e normës së TVSh-së prej 18 në 10 për qind në qarkullimin e burimeve të energjisë: dizel, benzinë pa plumb, naftë, gaz të lëngshëm dhe metanit, si dhe nga masa për uljen e akcizës në bazë të çmimeve të bursës.
 
Qeveria e ka dorëzuar në Kuvend propozimin për ndryshimet e Ligjit për TVSh-në dhe Ligjit për akcizat. Në shkresën e Qeverisë nënvizohet se këto ndryshime duhet të miratohen me procedurë të përshpejtuar që të sigurohet ulja e çmimit me pakicë të derivateve të naftës. 
 
REJHANE BUSHI METAJ