Ukrainë, java e tretë e luftimeve, nuk kursehen as civilët

10.03.2022 17:24

Lufta në Ukrainë tashmë ka hyrë në javën e tretë...

Lufta në Ukrainë tashmë ka hyrë në javën e tretë. Bombardimet ruse në territorin e Ukrainës nuk kanë të ndalur, pavarësisht pretendimeve nga autoritetet ruse se shënjestër e sulmeve janë objektet ushtarake, banorët lokal dëshmojnë të kundërtën.

“Jemi duke parë rusët që bombardojnë kopshte, spitale për fëmijë. As kafshët e egra nuk veprojnë kështu. Ata kanë kaluar çdo limit.”,- tha aktivisti humanitar, Yuriy Popovich.

OBSh-ja ka verifikuar 18 sulme mbi objekte shëndetësore dhe dhjetëra viktima.

“E dimë se pas bombardimit terrorist nga avionët rusë në spitalin e fëmijëve në Mariupol ka 17 viktima – fëmijë, gra, mjekë – dhe tre vdiqën, mes tyre një fëmijë- vajzë. OBSh ka verifikuar 18 sulme ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor, punonjësve shëndetësorë dhe ambulancave, 16 të plagosur. Këto sulme privojnë komunitete të tëra nga kujdesi shëndetësor.”,- tha kryetari i OBSh-së, Tedros Adhanom Gerbeisus.

Autoritetet ruse i hodhën poshtë deklaratat e OBSH-së, duke i quajtur manipuluese. Ndërkohë, shumë banorë evakuohen nga zonat e luftës, por rruga gjatë evakuimit është e pasigurt. Ka nga ata që nuk e lëshojnë vendin.

"Një paralajmërim, djema: Po hyjmë në një zonë shumë të rrezikshme, atje ka të shtëna. Duhet të qëndroni pranë nesh. Mos u largoni!”,- u shpreh një oficer i policisë ukrainase.

“Jam shumë e shqetësuar që më duhej të largohesha nga shtëpia. Ne qëndruam atje për aq kohë sa mundëm. Nuk donim të largoheshim. Është zemërthyese t'i lëmë të gjitha pas. Ne nuk kemi energji elektrike, as gaz, jemi pa ngrohje. Gatuam ushqim në një zjarr kampi. Kaluam gjithë kohën në bodrum, sepse ka luftime të vazhdueshme në zonën ku jetojmë.",- theksoi një banore e Homstelit.

“Nuk do të kishim lënë Irpin, por nuk mund të jetojmë në një zonë luftimi. Përveç të shtënave, nuk kishim energji elektrike për një javë. U harxhuan edhe rezervat ushqimore.”,- potencoi një banor i Irpin.

“Shtëpia jonë është zhdukur. Ne kemi qenë në bodrum për 14 ditë pa dritë, ujë, pa ngrohje.”,- tha një banore e Irpin.

"Bodrumi nuk është aq i sigurt. Nëse raketa godasin ndërtesën tonë, ai mund të bëhet një varr masiv.”,- theksoi banorja e Kievit.

Babai tha se ka trupa njerëzish të shtrirë të rrugë. Askush nuk i heq. Janë ngrënë nga qentë dhe qentë kanë filluar të sulmojnë njerëzit. Babai është ulur në bodrum, duke mos dalë nga shtëpia. Ne lutemi që gjithçka të jetë mirë me të, sepse refuzon të largohet nga vendi.”,- u shpreh një banore e Irpin.

“Këto janë dhuratat që po na dërgojnë nga qielli. Janë rusët e pamëshirshëm që po vrasin civilë.”,- potencoi një banor i Kievit.

"Shumë njerëz që u përpoqën të linin Chernihiv me veturat e tyre, nuk ia dolën, sepse ata gjuanin mbi makina të rregullta, kështu që ne nuk besojmë në këto korridore humanitare.”,- u shpreh një banore e Chernihiv.

“Është shumë e rrezikshme të largohesh nga qyteti. Shumë njerëz u përpoqën të dilnin dhe qëlluan mbi ta. Ata u vranë. Ne morëm rrezikun të qëndrojnë këtu dhe jemi ende gjallë. Mbijetesa deri tani, për mua ishte një surprizë. Njerëzit duan të ikin por nuk ka siguri.”,- tha banorja e Chernihiv.

Si pasojë e luftës në Ukrainë deri tani mbi 2 milion refugjatë kanë vërshuar vendet fqinje, një pjesë e të cilëve janë larguar drejt vendeve të BE-së. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)