Universiteti i Tetovës, debat mbi Ukrainën dhe ndikimin në rajon

10.03.2022 19:30

Lufta në mes Ukrainë dhe Rusisë...

Lufta në mes Ukrainë dhe Rusisë do të ndikojë në uljen e euro-skepticizimit në mesin e banorëve të vendeve që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Kështu vlerëson dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës, Qebri Avziu. Ai pret që procesi për anëtarësim në BE tani do jetë më i shpejtë.

“Kjo luftë që bëhet në Ukrainë do të ndikojë pozitivisht në forcimin e Bashkimit Europian dhe euro-integrimi do të jetë një proces shumë më i shpejt se sa ka qenë. Kjo luftë do të ndikojë në forcimin e BE-së dhe në unitetin e këtij unioni. Vendet që nuk janë pjesë e BE-së do të duhet të forcohet dhe të jetë më i shpejtë.”,- deklaroi dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës, Qebri Avziu.

Stërzgjatja e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit ka bërë që të rritet euro-skepticizmi në mesin e qytetarëve të këtyre vendeve, u tha në debat.

“Lufta në Ukrainë mendoj se mund të ketë ndikim pozitiv, pra ulje të euro-skepticizmit, sepse është një situatë e re në historinë e Evropës dhe kjo është një sfidë për Bashkimin Evropian për të zhvilluar edhe më shumë idenë e Bashkimit Evropian. Evropa duhet ta kuptojë se Rusia është një problem i madh për këtë kontinent.”,- u shpreh profesori nga Polonia, Adam Balcer.

“Akoma është herët për të thënë se si do të zhvillohet euro-skepticizmi, duke pasur parasysh edhe me valët e emirgracionit në të kaluarën, mendoj se nuk do të jetë pa ndikim. Mendoj se tërë kjo situatë do të ndikojë në konceptin e zgjerimit të Unionit Evropian dhe do të duhet të rimendohet tërë procesi i zgjerimit.”,- theksoi Daniel Glechgewicht.

Viteve të fundit përkrahja e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në mesin e qytetarëve ka qenë mbi 70 për qind. (Visar Sadiki, TVM2)