Botë
Rama: Kush vendos çmim ndryshe nga ai që caktohet, humbet pikën e karburantit
11.03.2022 13:15
Kriza botërore e rritjes së çmimeve të karburantit dhe të produkteve të tjera ka prekur prej ditësh Shqipërinë...

Kriza botërore e rritjes së çmimeve të karburantit dhe të produkteve të tjera ka prekur prej ditësh Shqipërinë. Qeveria nga ana e saj ka njoftuar ngritjen e një bordi të posaçëm që do të kryejë monitorime dhe do të marrë masa për moslejimin e abuzimeve me çmimin e karburanteve.
Kryeminstri Edi Rama njoftoi këtë të premte, në takimin me furnizuesit e hidrokarbureve se do të ngrihet Bordi Kombëtar i Furnizimit me Karburant.
“Kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar dhe për të ndarë pjesën tuaj të barrës. Ne kemi detyrimin të mbajmë barrën më të madhe, qeveria, të gjithë kanë detyrimin të mbajnë pjesën e tyre të barrës. Do të mbani pjesën tuaj se nuk mund të ndodhi që të fitoni asgjë më shumë seç ju duhet që të vazhdoni të furnizoni popullin shqiptar dhe në këto kushte brenda 24 orësh do kalojmë një akt normativ dhe qeveria do hyjë në administrimin e furnizimit bashkë me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant dhe çdo ditë ju dhe qeveria dhe nuk do ketë asnjë çmim të pa miratuar nga bordi, kush do e bëjë do humbasë pikën e karburantit”, u tha Rama furnizuesve.
Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e çmimit të hidrokarbureve në shumë vende të botës. Disa shtete, si Serbia kanë ndaluar eksportin e disa lëndëve të para, siç është nafta, por dhe gruri, që po ashtu ka pësuar një rritje të çmimit.
