Botë
A mund të ndiqet penalisht Putini për Ukrainën?
11.03.2022 14:00
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka përshkruar sulmet në një maternitet dhe në një spital për fëmijë, si krime lufte.....

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka përshkruar sulmet në një maternitet dhe në një spital për fëmijë, si krime lufte. “Edhe lufta ka rregulla!”; këto rregulla janë të përfshira në traktatet e Konventave të Gjenevës, si dhe në ligje e marrëveshje të tjera ndërkombëtare. Por çfarë është një krim lufte?
Civilët nuk mund të sulmohen qëllimisht – as infrastruktura që është jetike për mbijetesën e tyre. Disa armë janë të ndaluara për shkak të vuajtjeve të tmerrshme që shkaktojnë – të tilla si minat tokësore dhe armët kimike ose biologjike. Të sëmurët dhe të plagosurit duhet të jenë nën kujdes, përfshirë dhe ushtarët e lënduar, të cilët kanë të drejta si robër lufte.
Ligjet e tjera ndalojnë torturën, gjenocidin, si dhe përpjekjen e qëllimshme për të shkatërruar një grup të caktuar njerëzish. Veprat e rënda gjatë luftës, si vrasja, përdhunimi ose persekutimi masiv i një grupi, njihen si “krime kundër njerëzimit”.
Ukraina ka deklaruar se sulmi ajror rus në repartet e maternitetit dhe në ato të fëmijëve në Mariupol, ishin një krim i mirëfilltë lufte. Tre persona, duke përfshirë një fëmijë u vranë, si dhe 17 punonjës e pacientë u plagosën. Ka pasur gjithashtu raporte se trupat ruse kanë shënjestruar civilët ukrainas që po largoheshin nga vendi për t’i shpëtuar dhunës së ushtarëve rusë. Ka prova se bomba thërrmuese – municione që ndahen në shumë bomba – kanë goditur zonat civile në Kharkiv.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, thotë se Rusia ka përdorur eksploziva termobarikë, të cilët krijojnë vakume masiv duke thithur oksigjen. Këta eksploziva shkatërrues nuk janë të ndaluar – por përdorimi i tyre i qëllimshëm pranë civilëve sigurisht që do të shkelte rregullat e luftës.
A mundet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të ndjekë penalisht krimet në Ukrainë?
Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, avokati britanik, Karim Khan, thotë se ka baza të mjaftueshme për të besuar se krimet e luftës janë kryer në Ukrainë – dhe ai ka lejen e 39 shteteve për të hetuar mbi këtë çështje.
Hetuesit do të shqyrtojnë akuzat e së kaluarës dhe ato aktuale – duke shkuar pas deri në vitin 2013, përpara aneksimit të Krimesë nga Rusia. Nëse ka prova kundër individëve, Prokurori do t’u kërkojë gjyqtarëve të GJNP-së, të lëshojnë urdhërarreste për t’i sjellë ata në gjyq – i cili do të mbahet në Hagë. Gjykata nuk ka policinë e saj, por mbështetet në shtetet përkatëse për të arrestuar të dyshuarit. Çështja është se Rusia nuk është më anëtare e Gjykatës, pasi u tërhoq në vitin 2016. Presidenti Putin, në këtë mënyrë, nuk do të ekstradojë asnjë të dyshuar. Nëse një i dyshuar shkon në një vend tjetër, ai mund të arrestohet, çka sigurisht nuk do të ishte aq e lehtë.
A mund të ndiqet penalisht Presidenti Putin ose udhëheqësit e tjerë rus?
Është shumë më e lehtë të identifikosh një krim lufte të kryer nga një ushtar, sesa liderët që urdhërojnë ekzekutimin e këtyre krimeve makabre. Gjithsesi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të ndjekë penalisht edhe për veprën penale: “Kryerja e një lufte agresive”. Kjo akuzë nënkupton se kemi të bëjmë me pushtimin apo konfliktin e pajustifikuar të një vendi.
Mirëpo, profesor Philippe Sands, një ekspert për të drejtën ndërkombëtare në Kolegjin Universitar të Londrës, thekson edhe njëherë faktin se është e vështirë të ndjekësh penalisht liderët e Rusisë, sepse vendi nuk është nënshkrues i Gjykatës. Në teori, siç shpjeguam edhe më lart, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, mund t’i kërkojë Gjykatës Penale të hetojë këtë vepër, por Rusia mund të vërë veton ndaj kësaj, si një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit.
Ndaj në një situatë të tillë, për Profesor Philippe Sands, efektiviteti i Gjykatës Penale nuk varet vetëm nga traktatet, por nga politika dhe diplomacia. Sands dhe shumë ekspertë të tjerë, argumentojnë se ashtu siç u bë në Nuremberg, zgjidhja qëndron te diplomacia dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Ai u bën thirrje liderëve botërorë që të krijojnë një gjykatë të vetme për të ndjekur penalisht krimin e agresionit dhe pushtimit në Ukrainë.
Marrë me shkurtime nga BBC
