Botë

Centralet bërthamore, në shënjestër të ofensivës ruse në Ukrainë

11.03.2022 14:07

Fillimisht Rusia pushtoi Çernobilin, zona e katastrofës më të madhe nukleare në botë....

Fillimisht Rusia pushtoi Çernobilin, zona e katastrofës më të madhe nukleare në botë. Një javë më vonë, ishte radha e Zaporizhzhia, impianti më i madh bërthamor në Europë. Dhe tani, ndërprerja e energjisë në Çernobil, ku më shumë se 200 punonjës po mbahen peng. Disa e kanë cilësuar shënjestrimin e një infrastrukture të tillë kaq të ndjeshme si krim lufte.  
 
Ukraina është shtëpi e 15 centraleve bërthamore. Me dy të pushtuara tashmë, forcat ruse po i afrohen centralit të dytë më të madh, atij të Yuzhnoukrainsk në Mikolaiv. Energjia bërthamore përbën gati çerekun e burimeve të energjisë në vend, pas qymyrit dhe gazit natyror. Për këto të fundit, Kievi mbështetet kryesisht në importet nga Rusia. Por gjithashtu rezervat e naftës janë goditur. Ukraina postoi imazhe të rafinerive të sulmuara naftës në Zhytomir dhe Cherniahuiv në veriperëndim të vendit.
 
Për momentin është e vështirë të përcaktohen qëllimet e Moskës lidhur me infrastrukturën e energjisë, veçanërisht zonat nukleare. Ukraina thotë se nivelet e rrezatimit për momentin janë normale, por Perëndimi mbetet i shqetësuar.