Botë
Kurti për AFP: Putin synon konflikte të reja, Kosova është e rrezikuar
11.03.2022 14:41
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve “AFP”...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve “AFP”. Aty ai ka folur për rrezikun që i kanoset Kosovës nga Rusia, pastaj marrëdhëniet me Ukrainën si dhe për çështje tjera.
“Nëse Bashkimi Evropian dhe NATO-ja nuk e shfrytëzojnë këtë moment për të qenë të bashkuar, ashtu siç e imponon koha, por unë besoj edhe vullneti i popujve, të drejtat qytetare dhe mirëqenia në kontinentin evropian, atëherë do ta paguajmë shumë shtrenjtë me të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë një unitet të shtuar edhe institucional, ashtu siç është popullor. Unë jam i bindur që tash popujt e Evropës kurrë nuk kanë qenë më të bashkuar, veçse ky lloj bashkimi duhet ta gjejë shprehjen e vet edhe në politikë edhe në institucionet përfaqësuese.”, deklaroi Kurti.
Në pyetjen nëse Kosova ka arsye që të ndjehet e rrezikuar pas agresionit rus, sidomos kur kihet parasysh ekzistimi i marrëdhënieve dhe tensioneve shumë të larta me Serbinë e cila konsiderohet si aleati kryesor i Rusisë në këtë rajon, Kurti tha se Ballkani Perëndimor në përgjithësi, e posaçërisht Kosova, janë të rrezikuar.:
“Në të kaluarën presidenti rus na përmendte një herë në muaj, tash na përmend nga disa herë në javë dhe duket qartazi se Republika e Kosovës është një halë të cilën ai e konsideron që e pengon në projektin e vet. Dy muaj pas çlirimit të Kosovës, presidenti rus u pat bërë kryeministër i Federatës ruse, në gusht të vitit 1999, ndërkaq me rastin e dy vjetorit të ardhjes së trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës nga Bosnja dhe Hercegovina në qershorin e vitit 1999, pra në qershorin e vitit 2001 ai pat vizituar Kosovën, për t’i vizituar trupat ruse pikërisht në Aeroportin e Prishtinës. Le të mos harrojmë që është ky president ai i cili edhe i aneksoi Osetinë Jugore dhe Abkhazinë në Gjeorgji, pikërisht në vitin kur Kosova e shpalli pavarësinë, ndërkaq një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Serbisë edhe Federatës Ruse për dhënien e shumicës së aksioneve të industrisë së naftës në Serbi te Gazprom-i dhe po ashtu të bazenit të gazit në Banatski Dvor në Vojvodinë, sërish tek Gazprom-i. Nga 250 deputetë sa i ka Kuvendi i Serbisë, 151, pra më shumë se 60 për qind, janë në grupin e miqësisë Serbi – Federatë Ruse. Në Kuvendin e Kosovës janë një dyzinë deputetësh në grupe të miqësisë me shtete të ndryshme. Pra, atje mbi 60 për qind të parlamentit janë në grupin e miqësisë me Federatën Ruse. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin që ka ma shumë se një dekadë që Rusia është shumë aktive në Serbi, sidomos me “Qendrën Humanitare Ruse” siç e quajnë ata në Nish dhe me Sputnikun që e ka në rajon qendrën në Beograd, natyrisht që ne duhet të jemi shumë vigjilent, të kujdesshëm, por nuk do të frikësohemi asnjëherë prej tyre”.
Kurti kërkon integrimin e shpejtë të Ballkanit perendimor në BE.
"Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende të paintegruara në Bashkimin Evropian për nga popullsia janë përafërsisht sa Holanda, e për nga bruto produkti vendor i kombinuar janë përafërsisht sa Sllovakia. Rrjedhimisht nuk është barrë e madhe për Bashkimin Evropian integrimi i përshpejtuar i rajonit tonë.. Metodat e vjetra të zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian mund të kenë kosto shumë të lartë pas agresionit ushtarak dhe invazionit rus në Ukrainë, i cili unë besoj që synon të mos ngelet vetëm në Ukrainë” tha Kurti.
