Bisedimet me Ukrainën, Putin sheh “lëvizje pozitive”

11.03.2022 16:02

Presidenti rus, Vladimir Putin....

Presidenti rus, Vladimir Putin, pas takimit me presidentin e Bjellorusisë  Llukashenko, ka thënë se  janë bërë disa  "ndryshime pozitive" në bisedimet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Ai shtoi se negociatat "tash po zhvillohen pothuajse çdo ditë".

Negociatorët rusë dhe ukrainas kanë mbajtur disa runde bisedimesh që kur Putini dërgoi trupa në Ukrainë, më 24 shkurt.

Bisedimet kanë çuar në hapjen e disa korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve nga zonat e luftimit. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për bllokimin e këtyre përpjekjeve.

Putini premtoi se do ta mbajë të "informuar" aleatin e tij, Lukashenko, mbi procesin e negociatave. Kremlini tha se konflikti në Ukrainë do të përfundojë kur Perëndimi të ndërmarrë veprime lidhur me shqetësimet e ngritura vazhdimisht nga Rusia për vrasjen e civilëve në lindje të Ukrainës dhe zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i pyetur nga gazetarët se si mund të përfundojë kriza, përcaktoi pozicionin e Rusisë dhe tha se besonte që Ukraina po diskutonte për kërkesat e Moskës me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë.