Botë

Protestë në Shqipëri për rritjen e produkteve dhe karburanteve

11.03.2022 16:16

Shqiptarët janë ngritur në revoltë mbarëkombëtare pas rritjes së vrullshme të çmimeve...

Shqiptarët janë ngritur në revoltë mbarëkombëtare pas rritjes së vrullshme të çmimeve. Një litër karburant, ditët e fundit e tejkaloi 2 euro, por pas nisjes së protestave ka pësuar një ulje të lehtë. Si pasojë e rritjes së çmimeve, shërbimi i transportit urban është në kaos, ku shumë linja transporti kanë rritur çmimet. Nga ana tjetër, edhe çmimet e produkteve të shportës janë rritur ndjeshëm, duke vështirësuar jetesën e qytetarëve, në kushtet kur paga minimale është rreth 240 euro. Të parët që nisën protestat në mëngjes ishin fermerët e Lushnjës, të cilët bllokuan rrugën kryesore, duke sjellë për pasojë përplasje me policinë.
 
Edhe studentët e Universitetit të Korçës bojkotuan mësimin, ndërsa marshuan në rrugë duke kërkuar uljen e çmimit të biletës dhe produkteve ushqimore.
Në Tiranë, protestat i vijuan studentët e universitetit Bujqësor, e më pas taksitët.
 
Kryeministri Edi Rama mblodhi furnizuesit e karburanteve, dhe u tha se çmimet do t’i caktojë bashkë me ta.
 
“Kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar dhe për të ndarë pjesën tuaj të barrës. Ne kemi detyrimin të mbajmë barrën më të madhe, qeveria, të gjithë kanë detyrimin të mbajnë pjesën e tyre të barrës. Do të mbani pjesën tuaj se nuk mund të ndodhi që të fitoni asgjë më shumë seç ju duhet që të vazhdoni të furnizoni popullin shqiptar dhe në këto kushte brenda 24 orësh do kalojmë një akt normativ dhe qeveria do hyjë në administrimin e  furnizimit bashkë me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant dhe çdo ditë ju dhe qeveria dhe nuk do ketë asnjë çmim të pa miratuar nga bordi, kush do e bëjë do humbasë pikën e karburantit”, tha Rama.
 
Protestat do të vijojnë çdo pasdite, jo vetëm në Tiranë por edhe në të gjitha rrethet e tjera. Pas protestës së mbrëmshme para Kryeministrisë, policia ka shoqëruar dhjetëra persona për grumbullime të paligjshme dhe kundërshtim të forcave policore.
 
LULJETA NDOKA