Në Zagreb rrëzohet një dron ushtarak, nuk dihet nëse është rus apo ukrainas
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq....

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka mbajtur një takim urgjent në Këshillin e Sigurisë Kombëtare me organet kompetente të sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes për shkak të rrëzimit të një droni ushtarak “Tu-141”në periferi të Zagrebit, mbrëmjen e kaluar.
Tha se ky është një incident serioz dhe duhet të përcaktohet se si është e mundur që një dron gjashtë tonësh të fluturojë mbi një vend anëtar të NATO-s për më shumë se një orë pa u evidentuar.
“Ky ishte një incident i rëndë dhe po trajtohet si i tillë. Sipas informacioneve që kemi, hetimet janë në vijim, duam të përcaktojmë të gjitha detajet. I lus qytetarët të qëndrojnë të qetë sepse incidente të tilla mund të ndodhin në konflikte. Ne vlerësojmë se kjo nuk ka qenë e drejtuar kundër Kroacisë. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima, megjithatë ne duhet të kontrollojmë disa procedura se si mund të ketë ndodhur kjo.” – tha Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq tha se me njohuritë që posedon, bëhet fjalë për një avion me prejardhje ruse, i cili erdhi në Kroaci nga Hungaria dhe në Hungari nga Rumania.
“Se a bëhet fjalë për gabim apo ka humbur kontrollin deri më tani nuk kemi informacion. E dimë që ka fuluturuar për disa minuta mbi Kroaci dhe u rrëzua në Zagreb. Mirë është që nuk ka të lënduar dhe ra në një vend të pabanuar. Shërbimet janë duke zhvilluar hetime. Ne kemi kontaktuar palën ukrainase për të parë nëse posedojnë ata të dhëna se si ky avion ka aritur deri në Zagreb.” – është shprehur Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.
Ministri kroat i Mbrojtjes tha se qytetarët duhet të jenë të qetë se ky nuk ishte kërcënim për Kroacinë. Shpërthimi i fortë ka shqetësuar banorët e pjesës perëndimore të Zagrebit, në afërsi të konviktit studentor “Stjepan Radiq”.
Ndërkohë, Kievi mohon pretendimet se droni i rrëzuar i përkiste ushtrisë ukrainase. Derisa sipas mediave kroate, ishte një dron zbulues sovjetik “Tu-141” i përdorur në vitet 1970 dhe 1980 dhe më vonë pjesë e ushtrisë ukrainase. (Leunora Kaliqi, TVM2)
