Maqedoni

Banka Popullore, denari është stabil dhe i qëndrueshëm

13.03.2022 15:00

Denari është stabil dhe do të mbetet i qëndrueshëm dhe nuk ka arsye për të ndryshuar kursin...

Denari është stabil dhe do të mbetet i qëndrueshëm dhe nuk ka arsye për të ndryshuar kursin, pasi nuk do të përfitojë askush, vlerësojnë nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut.
 
Këtë në një intervistë për agjencinë MIA, e theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska. Ajo thekson se Banka Popullore ka kapacitete dhe mjete për ta mbrojtur kursin e denarit, nëse paraqitet nevoja. 
 
“Ne kemi kapacitete dhe kemi mjete për të mbrojtur kursin e denarit, nëse lind nevoja. Kemi më shumë instrumente në dispozicion, do të theksoj më të rëndësishmit – rezervat valutore, të cilat janë të larta, 3.4 miliardë euro, ose dy herë më shumë se në 2008, vit krize financiare globale, kur edhe me sukses e ruajtëm stabilitetin e denarit. FMN në raportin e fundit për vendin, të publikuar muajin e kaluar, thekson se niveli i rezervave valutore është në përputhje me politikën e kursit që ne aplikojmë”, theksoi guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska.
 
Sipas saj, Banka Popullore ka hapësira shtesë për veprim të shpejtë dhe efikas nëse ka nevojë për zbutjen e efekteve të mundshme negative në ekonominë vendase dhe tregjet financiare, duke pasur parasysh pasigurinë e krizës aktuale ekonomike dhe gjeopolitike globale.
 
Lidhur me informacionet se nuk ka valuta të huaja në treg, guvernatorja theksoi se kjo nuk është e vërtetë dhe apelon te qytetarët që të mos bien pre e spekulimeve.