Maqedoni
Familja Ibrahimi nga Konjarja e Shkupit, 12 vite pa informata për Mitatin e zhdukur
13.03.2022 17:06
Jaldes Ibrahimi nuk e ka parë djalin e saj që nga 19 marsi 2010...

Atë të premte fatale, Mitati u kthye nga shkolla, mori topin dhe doli për të luajtur me shokët e tij. Që atëherë ai është zhdukur. Familja Ibrahimi është e bindur se djali i tyre është rrëmbyer pasi fqinjët kanë vërejtur se atë ditë në fshat po lëviznin dy makina të panjohura.
“Ai patjetër të jetë diku, është i rritur tani , nuk është një send që të zhduket aq lehtë. Çka i kanë bërë nuk e dimë. Mua nuk ma thotë zemra që është i vdekur ma thotë zemra që është gjallë. Të dyja mendimet i kam, por edhe nëse është i vdekur,vetëm të del edhe atë e pranoj. Të del diku, se është e vështirë kur gjatë gjith kohës e parashtroj pyetjen ku është”, u shpreh nëna e Mitatit të zhdukur, Jalldez Ibrahimi.
Mitat Ibraimi, Dane Memedi dhe Mirsada Heldovic janë tre fëmijët e zhdukur në vitin 2010, në një periudhë prej 24 ditësh. Ata ende kërkohet me urdhër-arresti ndërkombëtar. Por nuk janë të vetmit që kërkohen. Së fundmi Petar Xhoboski është zhdukur duke luajtur në oborrin e shtëpisë së tij në Vrbsko të Mariovës, në vendin ku është dashur të ndihej më i sigurt. Kërkimi për të është ende vazhdom.
“Të mitur nga viti 1991 deri me sot kemi 56 persona në kërkim dhe kërkimi është aktiv. Ajo që mund të them nuk kemi rritje të numrit, pra numri është i vogël në raste të tilla. Rasti i fundit është me Petarin e vogël në Prilep, i cili është në kërkim intensiv. Kur hapet një çështje për një person të caktuar, vazhdimisht punohet në gjetjen e tij. Nuk ndalemi asnjeherë, çdo moment i ri mund të përdoret për të përfunduar çështjen dhe për t'i gjetur”, theksoi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.
Në raportin për vitin 2021 të ambasadës për të drejtat e fëmijëve Megjashi, ka pasur 4 raportime për trafikim të të miturve, rrëmbim ose tentim për rrëmbim. Të gjithë fëmijët janë gjetur dhe kthyer në shtëpitë e tyre.
“I kemi veçuar si të veçanta sepse kanë ardhur pas një kohe shumë të gjatë. Ne nuk kemi pasur trafikim, rrëmbim apo zhdukje të tillë të fëmijëve në këtë drejtim. Ne kemi bërë një analizë në 10 vitet e mëparshme në atë periudhë kemi pasur gjithsej 10 raste të tilla të rrëmbimit. Pothuajse gjysma e atyre 10 aplikacioneve janë pranuar vitin e kaluar, dhe ajo që është edhe më interesante, janë pranuar në një periudhë shumë të shkurtër nga fundi i gushtit deri në fillim të shtatorit për më pak se dy javë, pra për 10 ditë”, u shpreh Jordanka Cerepnalkova-Trajkoska nga ambasada e fëmijëve “Megjashi”.
Profesori i së drejtës penale, Mitasin Beqir, konsideron se institucionet në vend nuk tregojnë kapacitete të mjaftueshme për zbardhjen e krimeve.
“Në kohë të fundit dëshpërohem sepse aspak nuk janë të gatshme. Ose nuk dinë ose nuk duan t’i zgjidhin rastet. Mirëpo fitoj një bindje edhe nga praktika por edhe nga shumë seminare që I kemi mbajt, se pikërisht ato që janë ta mbajnë rendin dhe qetësinë, ata më tepër e prishin”, theksoi profesori uiversitar Mitasin Beqiri.
Familjet e fëmijëve të zhdukur çdo ditë janë në pritje të çfardo lajmi. Ata imagjinojnë se si do të dukeshin fëmijët e tyre sot dhe shpresojnë se aktualizimi i këtyre rasteve mund t'i ndihmojë ata të arrijnë një epilog.
SANIJE DURAKU
