Irbil, sulm me raketa, nuk raportohet për viktima
Disa raketa kanë goditur Irbilin....

Disa raketa kanë goditur Irbilin, kryeqytetin e rajonit autonom kurd në veri të Irakut, raportoi media shtetërore duke cituar guvernatorin e qytetit.
“Nuk ka viktima apo të plagosur pas shpërthimeve në Erbil”, tha Saman Barzanji, ministër i Shëndetësisë në provincën Kurdistan të Irakut. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se raketat janë nisur nga Irani, duke shënjestruar ndërtesën e re të konsullatës amerikane dhe një zonë në afërsi, mirëpo ato kanë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe një civil është plagosur.
Një korrespodent i televizionit shtetëror iranian me bazë në Irak, ka thënë se raketat kanë pasur qëllim “bazat sekrete izraelite”.
Departamentit amerikan i Shtetit e ka quajtur sulmin “të egër”, mirëpo ka thënë se asnjë amerikan nuk është lënduar dhe nuk ka dëme në objektet e Qeverisë amerikane në Irbil.
Ky sulm ka ndodhur disa ditë pas një sulmi izraelit afër Damaskut të Sirisë, i cili ka lënë të vdekur dy anëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit.
Teherani e kishte dënuar ashpër sulmin dhe është zotuar se do të hakmerret.
