Struga shënon rënie të natalitet në dy vitet e fundit
Numri i të posalindurve në Strugë është në rënie....

Numri i të posalindurve në Strugë është në rënie. Krahasuar me dhjetë vjet më parë, nataeliteti ka rënë me 20 %. Në vitin 2020 në Repartin e Gjinekologjisë në Strugë ka pasur 680 lindje, por në vitin 2021 është vërejtur një rënie e natalitetit, ku janë lindur 580 fëmijë.
Ndërsa këtë vit deri më tani kanë lindur 71 fëmijë. Përkundër uljes së natalitetit, vërehet një ngarkesë e shtuar, sepse në mungesë të mjekëve gjinekologë në Dibër, 90% e nënave në Dibër lindin në Strugë, ku janë shtatë mjekë gjinekologë.
Nënat e lehonisë vijnë edhe nga Resnja dhe Kërçova.
“Nga statistikat shohim se ka një rënie të lehtë të natalitetit si në të gjithë Maqedoninë edhe tek ne ka rënie. Për momentin jemi 7 gjinekologë prej të cilëve 2 jemi specialist më të ri dhe 5 me përvojë më të madhe dhe kemi akushere me përvojë. Në repartin tonë vijnë edhe pacientë nga qyteti i Dibrës dhe rrethina, Ohri, Kërçova, Resnja dhe ne arrijmë të ua japim atë shërbim që duhet.” – tha Majlinda Sheji, shefe e repartit të gjinekologjisë.
Në dy vitet e fundit në pandemi ka pasur shumë nëna pozitive me koronavirus, disa prej tyre janë dërguar në Shkup, disa për shkak të urgjencës janë përkujdesur në Strugë.
“Ne pacientët tek të cilët ka pas kushte për ti transportuar në Shkup i kemi transportuar atje, sepse atje ka repart special për pacientet pozitive shtatëzane dhe ka kushte edhe për bebet. Por kemi pas raste që pacientët pozitive, p.sh kanë pasur lindjen e nisur nuk kemi pasur kushte që ti transportojmë në Shkup, i kemi lindur këtu, kemi marrë masat që duhet për mbrojtjen për personelin, për pacienten dhe për bebin. Një fenomen i ri që e kemi vërejtur nga statistikat, është se në periudhën e fundit kemi shumë lindje të parakohshme.” – deklaroi Sheji.
Në vitin 2011 në Strugë kanë lindur 701 të porsalindur, dhjetë vjet më vonë numri i të porsalindurve është reduktuar në 571. Përkundër uljes së natalitetit, në Strugë ende ka rritje pozitive natyrore.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar në Strugë kanë lindur 131 foshnja, ndërsa kanë vdekur 116 persona, përkatësisht ka rritje natyrore me indeks + 15. (Ilmije Zhaku, TVM2)
